• |
ide | kryesore

Video/ Kukësi humb dy gola avantazh në mënyrë të pabesueshme: Zarubica barazon në të 95

-Instant, F1, Sport, Video



Kukësit i fluturon fitorja nga duart në shtesë, e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pas kartonit të dytë të verdhë të Lulajt, por dy pikët e lëna në Laç janë për fajin e tyre, sepse Laçi i fali më shumë se një pjesë loje. Longo ndalet për herë të parë në javën e tretë të Superiores, nga dygolëshi i Zarubicës që shpëtoi kurbinasit nga humbja duke i dhënë frymëmarrje pankinës së Vukicevic, që rrezikon jo pak nga rezultatet, por edhe nga loja e treguar nga bardhezinjtë në pjesën e parë.

Impakti me ndeshjen ishte krejtësisht në favor të bluve që luajtën një pjesë të parë me sens unik, duke zhbllokuar ndeshjen me Milunoviç në minutën e 30. Skuadra e Longos imponoi lojën pa rrezikuar praktikisht asgjë prapa, madje shkuan pranë golit të dytë në më shumë se një rast. Kukësi prodhoi lojë raste, zbaviti, por shpenzoi shumë e në ndeshje si kjo kundër Lacit gabimet peshojnë.

Lëvizjet e Vukicevic pas pushimit u ndjenë dhe për herë të parë kurbinasit tentuan portën kundërshtarë në të 48 me Guindon, që u ndal nga ndërhyrja vendimtare e Ndrecës. Kurbinasit megjithatë u duken se e humbën ndeshjen në minutën e 57 kur kaluan nga episodi potencial i barazimit 1-1 në 0-2 në harkun e 1 minute. Lushkjan e ndali vetëm shtylla për tiu gëzuar barazimit e në përmbysjen e fronteve Basa i ndëshkoi me golin e dytë.

Kthesa erdhi pikërisht këtu, të ndihmuar edhe nga një tërheqje e Kukësit në mbrojtje të rezultatit. Zarubica mori skenën duke lëvizur mirë brenda zonës për golin që ktheu Lacin në lojë e më pas, në minutën e 5 shtesë, malazezi barazoi një ndeshje dramatike, duke i bërë një favor të madh bashkëkombasit të tij në pankinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *