• |
ide | kryesore

Abuzime e ngacmime seksuale, në SHBA, Australi e Venezuelë: skandali në futbollin e femrave merr përmasa

-Instant, Sport



Një tërmet i vërtetë po godet futbollin e femrave, pasi dalëngadalë po vërshojnë denoncimet për ngacmime dhe abuzime seksuale nga lojtare të ndryshme. Në SHBA, presidenti i Washington Spirit dha dorëheqjen pasi ditët e fundit ishte shkarkuar edhe trajneri. I njëjti fat për trajnerin e North Carolina Courage Courage. Në Australi, Federata e Futbollit hapi një hetim pas denoncimit të dy lojtareve, ndërsa në Venezuelë ankesa erdhi nga i gjithë ekipi kombëtar.

Ajo që u përcaktuar si “Me Too” (edhe unë) e futbollit të femrave është duke zbuluar prishjen e brendshme të kësaj bote. Të gjitha ndeshjet e planifikuara për këtë fundjavë në Shtetet e Bashkuara janë pezulluar. Dhe të premten e kaluar, FIFA njoftoi se kishte hapur gjithashtu një hetim.

Edhe Australia, vendi i Kupës së Botës 2023, gjithashtu dëshiron të hedhë dritë mbi denoncimin e abuzimit, ngacmimit seksual dhe bullizmit nga ish-lojtarja Lisa de Vanna, e cila pretendoi se i kishte vuajtur të gjitha këto gjatë karrierës së saj, në disa raste dhe veçanërisht kur ajo ishte në Young Matildas, pseudonimi me të cilin njihet ekipi kombëtar i futbollit të femrave nën 20 vjeç në Australi. “Unë kam pësuar abuzime, ngacmime, bullizëm – i tha ajo ‘Sidney Daily Telegraph’ – Kam parë gjëra që më bënë të ndihem keq, u ngacmova seksualisht”. Versioni i saj është mbështetur nga ish-shoqja e skuadrës, Elissia Carnavas, dhe menaxherja e saj, Rose Garofano.

Edhe më e rëndë dhe që të lë pa fjalë, është ajo që vjen nga Venezuela. “Përdhunime dhe abuzim seksual në ekipin kombëtar të Venezuelës”. Fillon kështu postimi i gjatë në mediat sociale i sulmueses 22-vjeçare të Atletico Madrid, Deyna Castellanos, në emër të saj dhe të 23 bashkatdhetareve të saj që luajnë me kombëtaren, ku denoncohen ngacmimet dhe akte edhe më serioze të kryera kundër lojtareve, duke filluar nga viti 2008. Në veçanti, në shënjestër ishte trajneri Kenneth Zseremeta, me origjinë nga Panamaja dhe i cili ka punuar me seleksione të ndryshme në Venezuelë, përfshirë ato të të rejave. Kundër tij ka akuza për “sulm e abuzim fizik, psikologjik dhe seksual dhe abuzim kundër lojtareve, përfshirë të mitura”. “Vitin e kaluar, në 2020 – shkruhet në shënimin e lojtareve – një nga shoqet tona na zbuloi se ishte abuzuar seksualisht që kur ishte 14 vjeç, nga trajneri Kenneth Zseremeta. Këto abuzime vazhduan derisa kur u shkarkua në 2017. Në të gjitha këto ai kishte një bashkëpunëtor, Williams Pino. Për ne ishte e vështirë të asimilohej ky lajm sepse shumë prej nesh ndiheshin fajtore që nuk kishin vënë re asgjë, për diçka kaq serioze dhe që tani duhet të ndëshkohet ashpër. Në të njëjtën kohë, zbulimi i shoqes sonë nuk na befasoi sepse ky është ai lloj mjedisi që “kultivoi” trajneri ynë”. Në letrën e hapur, denoncohen më pas abuzimet psikologjike të trajnerit ndaj lojtareve që ai i njihte se ishin pjesë e komunitetit LGBT. Shënimi mbyllet me një apel drejtuar FIFA-s “të lëvizë për të siguruar që ky trajner të përjashtohet nga bota e futbollit të femrave”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *