• |
ide | kryesore

Operacion antidrogë në Korçë, 7 të arrestuar

Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Restart”, si rezultat i të cilit ka shkuar në 7 numri i të ndaluarve.

Po ashtu janë sekuestruar edhe 252.4 kg lëndë narkotike, ndërsa ky operacion ka startuar një muaj më parë për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek. Në vijim të operacionit, goditet rasti i tretë i tentativës për trafikim të narkotikëve, sekuestrohen edhe 65 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas të tjerë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Restart”, nisur 1 muaj më parë, si rezultat i të cilit janë vënë në pranga 5 shtetas dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 187.4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i informacioneve të grumbullauara nga hetimet proaktive dhe punës së mirëorganizuar, u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit S. K., 42 vjeç, banues në Korçë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Korçë-Kapshticë,​ me automjetin tip “Volvo”, gjatë kontrollit të të cilit iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 72 pako me peshë 65 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej në drejtim të shtetit grek”, njofton policia. Gjithashtu po në kuadër të këtij operacioni, u bë ndalimi për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, i shtetasit E. F., 32 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar si i implikuar në ngjarjen e datës 06.11.2021, ku u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit L. R; J. M; I. M. dhe A. Ç.

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, hetimet për këtë operacion po vijojnë për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *