• |
ide | kryesore

Studimi i fundit/ Omicron mbetet në fyt dhe nuk zbret në mushkëri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një numër provash në rritje tregojnë se varianti Omicron i Covid infekton më shumë fytin sesa mushkëritë. Kjo sipas shkencëtarëve mund të shpjegojë pse ai është më infektues, por më pak vdekjeprurës se versionet e tjera të virusit.

6 studime kanë zbuluar se Omicron nuk i dëmton mushkëritë e njerëzve aq shumë sa Delta dhe variantet e tjera të mëparshme të Covid. Studimet ende nuk janë rishikuar nga shkencëtarë të tjerë.

“Rezultati i të gjitha mutacioneve që e bëjnë Omicron të ndryshëm nga variantet e mëparshme është se ai mund të ketë ndryshuar aftësinë e tij për të infektuar lloje të ndryshme qelizash,” – tha Deenan Pillay, profesor i virologjisë në University College London.

“Në thelb, duket se është më në gjendje të infektojë traktin e sipërm respirator, pra qelizat e fytit. Ai shumohet atje më shumë se sa qelizat e thella në mushkëri. Kjo është vetëm një e dhënë paraprake, por studimet shkojnë në këtë drejtim” – shtoi ai.

Nëse virusi shumohet më shumë në fyt, kjo e bën atë më të transmetueshëm, gjë që shpjegon përhapjen e shpejtë të Omicron. Një virus që është i mirë në infektimin e indeve të mushkërive, në anën tjetër, është potencialisht më i rrezikshëm, por më pak i transmetueshëm.

Studiuesit e Universitetit të Liverpool publikuan një studim paraprak të kryer tek minjtë që tregon se Omicron çon në “sëmundje më pak të rënda”. Studimi tregoi se minjtë e infektuar me Omicron humbin më pak peshë, kanë ngarkesa më të ulëta virale dhe përjetojnë pneumoni më pak të rënda.

Laboratori Neyts në Universitetin Leuven në Belgjikë gjeti rezultate të ngjashme. Një studim tjetër, i publikuar në revistën “Nature” javën e kaluar nga studiues në SHBA, zbuloi gjithashtu se minjtë me Omicron humbën më pak peshë dhe kishin një ngarkesë virale më të ulët.

Dhe studiuesit në Qendrën për Kërkimin e Viruseve të Universitetit të Glasgow kanë gjetur prova se Omicron ka ndryshuar mënyrën se si hyn në trup. Omicron kishte shumë gjasa të shmangte imunitetin e njerëzve që kishin marrë dy doza të vaksinës, por një dozë përforcuese dha një “rikthim të pjesshëm të imunitetit”. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *