• |
ide | kryesore

DW: Përkeqësohet situata epidemiologjike në Kosovë, ndikim ka varianti Omicron

-Instant, Lajme, Të fundit



Ndonëse në fund të vitit të shkuar Kosova ishte vendi me gjendjen epidemiologjike Covid-19 më të mirën në rajon, situata po ndryshon me fillimin e vitit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha këtë të hënë se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. Numri i të infektuarve ishte njëshifror në fund të vitit të shkuar, por aktualisht brenda dite po regjistrohen qindra raste me Corona. Vetëm në 24 orët e fundit ishin 304 raste. Instituti bën thirrje për respektim të masave dhe të mos ketë grumbullime të njerëzve. Më 26 dhjetor 2021, Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike, por tani situata ka ndryshuar.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos-grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikqyrin me përpikmëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Nuk ka mungesa në vaksina

Kosovo Corona-Pandemie
Vaksinim në Prishtinë

 

Vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi, duke ju rikujtuar qytetarëve se “mund të imunizohen çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor nëpër komunat e Kosovës”, thekson instituti përgjegjës për pandeminë.

Ndryshe nga viti i kaluar, Kosova nuk përballet me mungesë të vaksinave imunizuese për Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43.9 për qind me dozën e dytë. Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se vaksina ka mjaftueshëm, mbi 400 mijë të tilla aktualisht janë në dispozicion, ndërsa, sipas nevojës mund të kontraktohen të tjera. Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit të vitit 2021, ndërkaq nga fillimi i dhjetorit të vitit të shkuar, ka nisur edhe me dozën e tretë përforcuese. Nga 09.12.- 01.01. të këtij viti. 2,093 qytetarë kanë marrë dozën e tretë.

 

Rezistencë ndaj vaksinimit të fëmijëve

Edhe në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç, por numri i të vaksinuarve nën moshën 18-vjeçare konsiderohet të jetë shumë i ulët. Një specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, u tha medieve lokale se Kosovën e pret një problem tjetër, siç është vaksinimi i fëmijëve.

“Me moshat 18-vjeçare e lart ne kemi një vaksinim të mirë dhe nëse vazhdojmë në mënyrë të këtillë nuk do të kemi probleme fare, por, i frikësohem vaksinimit të fëmijëve për të cilën ka rezistencë të madhe”, thotë Hana Xhemajli. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës,  numri i fëmijëve nga 12 deri 15 vjeç në Kosovë, është afro 100 mijë. Materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla dhe sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, do të vazhdohet me fushata vetëdijësuese për vaksinën kundër koronavirusit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *