• |
ide | kryesore

“…nuk din ti…” apo si i thonë në Shqipëri “…çke ti, ta them unë…”

-Instant, Arkiva, Blog

E dëgjova një ditë kryeministrin e Republikes se Shqipërisë, Edi Ramën, të deklarojë se ‘jemi populli më i politizuar i rruzullit’. Fjali e njohur dhe e thënë prej shumë nga ne. Megjithatë, ndryshe prej nesh, kjo fjali merrte peshë tjetër kur thuhet prej kryeministrit shqiptar.

E lehtë për t’u thëne, por sa është e lehtë për të u zbërthyer dhe kuptuar?


Si shpjegohet politizimi kolektiv i shoqërisë shqiptare?

Per dallim prej qytetarit shqiptar në Shqipëri, unë si shqiptar nga Kosova kam mundësinë e vrojtimit dhe analizimit se si mund të duket e ardhmja ime e mundshme në Kosovë me avantazh të theksuar kohor. Kjo sepse ne kemi mjaftueshëm inteligjencë kolektive të kuptojmë se politikbërja në Kosovë kopjon politikbërjen Shqiptare në të gjitha pikat — vecanërisht në ato për të keq.

Ndjesi e frikshme.

Nuk është ndjenjë e mirë të shohësh veten që po mbytesh me duar të lidhura, e nuk je Hudini. Nuk është ndjenjë e mirë të shohësh veten të keqtrajtohesh intelektualisht dhe të mos gjesh mundësi të arsyetosh fjalinë se ‘dituria krijon mirëqenie’.
Rrjedhimisht, kjo ndjenjë jo e mire më detyron të pyes se në cfarë relacioni qëndrojnë politizimi dhe mirëqenia në shoqërinë shqiptare?

Kisha fatin të jem i ftuar në një tavolinë mirëpritje për një politikan të shquar te Shqiperisë. Me kënaqësinë më të madhe e pranova ftesën. Isha shumë i interesuar të kuptoj vizionin për të ardhmen para se të bëhej realitet, idealisht.

Takimi – si shpesh’herë në këto takime protokollare – filloi me prezentimin e të gjithë atyre që ishin pjesëmarrës. Pas krejt ketij rituali te zakonshëm dhe një bisede të përgjithshme, më erdhi radha të flas. Natyrisht, si arkitekt, unë bëra një pyetje që sot e kësaj dite më mbetet peng të i kuptoj përgjegjen: ‘Kur do të kemi një objekt të projektuar nga arkitektë shqiptar, të ndertuar nga kompani ndërtimi shqiptare, dhe me materiale shqiptare ‘made in Albania’ ose ‘made in Kosova’?’.

Ne befasinë time, pa u menduar fare, shkrepi pergjigjen politikani duke shpërfaqë njëfar përcmimi e duke mos i’u pergjigjur pyetjes. Mes tjerash, ai ndertonte fjali me një grumbull fjalësh te cakorduara qe dukeshin si pasojë e njëfar inderioriteti. Pergjigja, te cilën nuk e morra asnjëherë, dukej kështu:

“…Ndëgjo…, ‘… nuk din ti…’, ‘…nuk je i informuar…‘, ‘…nuk ka arkitektë të mirë shqiptar…’, ‘…çke ti, ta them unë…”
Natyrisht se u ndjeva I ofenduar. Shqiptar – po; arkitekt – po; i ulur në tavolinë – po. Nuk e di cka me ndali të reagoj ndaj këtij cinizmi të një politikani qe fyente duke e mbështjellë atë me petkun e mirësjelljes. Për një moment mendova se a mos ishte faji im dhe se a isha i prezentuar në fillim, apo më kaluan? Zakonisht nuk e pranoj lehtë fyerjen e inteligjencës kur bëhet ne formë percmimi; megjithatë, meqë ishte takimi i parë me këtë personalitet dhe, natyrisht, për shkak te nikoqirit të cilin e respektoj, u përmbajta për të mos reaguar. Por, fillova ta bluaj në vete gjithë atë pergjegje qe nuk ishte në shërbim të pyetjes time. Përkundrazi, ishte vënë në shërbim të shërimit te kompleksit te inferioritetit të një tjetër politikani shqiptar.

Nuk mund të isha i koncentruar më në diskutimin e tavolinës. Mendimet filluan të shkojnë nga një anë në anën tjetër. Isha duke menduar për kohën e shkurtë që do të më ofrohej për një pyetje apo koment të dytë.

Cka do te thotë ‘…nuk din ti…’ apo, si përdoret edhe ndryshe në Shqipëri ‘…çke ti, ta them unë…’?

Ne gjykimin tim. Kjo është ndoshta ndër shprehjet më të keqpërdorura nga dhe tek ne. Jam akuzuar edhe unë që e kam perdorë, dhe për këtë kam reflektuar. Sot jam i bindur se kjo shprehje nuk tregon asgjë tjetër përpos injorancën ndaj tjetrit.

….

Keshtuqe, me këtë frymë percmimi ne tavolinë, me duhej domosdoshmërisht të reflektoja se si duket një arkitekt që di? Cka dhe ku janë më të mirë arkitektët e huaj qe po projektojnë të gjitha investimet kapitale në Kososvë e Shqipëri?

Si po i jep të drejtë vetes ky person të vleresojë dhe vulosë se kush di apo kush nuk di? Cfarë pregatitje profesionale ka per të bërë këtë vlerësim? Kritik arkitekture sigurisht që nuk është.

I frustruar nga mungesa e vlerësimit ndaj arkitektëve shqiptar, po hamndësoja me veten time:

‘… a e di ky njeri që me prodhimet vendore të Kosoves dhe Shqipërisë ‘made in Kosova’ dhe ‘made in Albania’ qe as në 2020 – dhe as sot ne 2022 – nuk mundemi të kompletojmë një shtëpi te vetme individuale?’

‘… a e di ky njeri që arkitekti është shtylla e zhvillimit ekonomik të një shteti…’ A thua kam kohë të ia zbeh injorancën ketij politikani duke i shpjeguar që specifikimi i materialeve në preventivë të një projekti arkitektonik, e që bëhet prej arkitektit, rrit ekonominë. A me duhet te i shpjegoj që tre-qind milion Euro materiale ndërtimore importohen prej Serbisë cdo vit, kurse Kosova nuk e ka një fabrikë tullash?

Shpejt më kthyen nga mendimet në tavolinë – me erdhi koha. Tash vendosa të bëj një pyetje tjetër; por, kesaj rradhe pozicionin e ‘injorantit’ e kisha mveshur me atë të cinikut:

‘…Pse nuk ka të drejtë një Shqiptar në zgjedhje të votojë për Angela Merkel? Apo per Jacinda Ardern? Apo per Barack Obama?’
Me nje përbuzje, politikani më shikoi dhe më ktheu një përgjigje e cila ishte në nivelin e shpjegimit për fëmijë: ‘Shiko, po shifet që nuk je i informuar… është e parashikuar në ligjet e shtetit, konkurrim për pozitë shtetërore mund të bëj vetëm një shtetas Shqiptar.’’

Nuk e lashë të japë ligjëratë por nderhyra: ‘…po pse kjo vlenë vetëm për politikën dhe politikanët? Me cfarë të drejte ju i vlerësoni, etiketoni dhe anashkaloni arkitektët Shqiptarë për projektet të cilat paguhen prej taksapaguesve Shqiptarë? Apo më mirë të them me taksat e tyre?

Ra një heshtje dhe nuk fola më.

‘…nuk din ti…’ apo si eshte fjalia ne Shqipëri ‘…çke ti, ta them unë…’.

Si po krijohet dhe kujt po i konvenon një profesionist që nuk di?

Cka ndodhë nëse fjalinë ‘…nuk din ti…’ e dëgjon në vazhdimësi. ‘Nuk din ti’ të thotë edukatorja, të thotë mësuesja, të thotë prindi, të thotë profesori, të thotë bashkëshorti, të thotë investitori, të thotë politikani, të thotë sistemi.

Cka është kjo fjali që po na humbë optimizmin? Fjali që po na bën të hyjmë në depresion kolektiv. Kush dhe si po na e imponon cdo ditë. Kush po na bën të palumtur? Kush po na humbë jetën?

Deri vonë nuk i kam dhënë të drejtë vetes të shprehem profesionalisht apo publikisht. Nuk kam menduar se jam mjaftueshëm i përgatitur profesionalisht. Por një ditë më ra priza. Më ra priza kur pashë deklarata në kanalet televizive pa asnjë përgjegjësi profesionale. Kjo kulmoi kur ne njërën nga emisionet ishte i thirrur një person rreth 24-25 vjec. Pa u mveshur me një dozë modestie qe do duhet te i vinte nga mungesa e përvojës, ai po jepte konkluzione politike dhe afër emrit të tij ishte edhe përshkrimi ‘specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare’. Befasuese. A thua, si bëhet kjo? U koncentrova të shoh nëse kisha mundësi të kuptoj. I dëgjova me shumë vëmendje dhe fjalitë e tyre nuk kishin kuptim. Shprehjet e tyre dukeshin përsëritje e ligjëratave të fundit. U intrigova dhe më vonë e kuptova. Ishte lufta mediale që e krijoji një profesion të ri: Analist politik. Në këtë luftë kërkohen fytyra të reja. Na u shfaq një profesion që skishte nevojë për përgatitje profesionale; skishte nevojë për mendim vetanak; perkundrazi, ishte i mjaftueshëm reflektimi gati i papergjegjshëm dhe animi politik.

Këta individë përdorën dhe keqpërdorën fjalinë ‘…unë mendoj…’ deri në atë shkallë saqë unë refuzoj ta përdorë më në fjalorin tim të përditshëm. Logjika e të menduarit është shumë e thjeshtë: …për të menduar – duhet pasë me cka të mendosh. Nuk janë mendime citimet e fjalive të tjetërkujt.

Ku mbeti gazetari? Ku mbeti profesionisti? Ku mbeti njëriu që kur thotë ‘…une mendoj…’ ka nje analizë pas vetes, ka një kriter, ka një personalitet? Janë të papunë, sigurisht.

Pronarët e mediave nuk kanë nevojë për njerëz që mendojnë. Rrethi mbyllet.

Pasi skemi mundësi të votojmë per Merkel, Ardern ose Obama, e kemi edhe nje të keqe tjetër: jemi të detyruar të votojmë për njerëz të pacipë, të pa shkolluar, të padijshëm dhe ne përfundim të këtij procesi votimi krijojmë deputetët me imunitet.

Krijojmë deputetët me moto: ‘…I forti e bën ligjin…’.

Jemi ndër të rrallë me përqindje të ligjbërësve me shkollë të mesme. Jemi poashtu ndër të rrallë ku zv. Ministër i Arsimit emërohet një student. Jemi ndër të rrallë ku humbja në zgjedhje komunale të shpërblehet me post ministror dhe ku punët e para të listuara në CV janë ‘ministër…’

Si u krijua paradoksi që dikush me këto kualitete të bëhet ligjbërës, e të na udhëheqë dhe të zëvendosojë mirëqenien shoqërore me mirëqenie personale?

Mu kujtua deklarata e politikanit Shqiptar dhe e paramendova sjelljen e tij në një vizitë jashtë vendit ku po mundohesha te nderlidhja se prej ku ai e ka marrë të drejtën të vlerësojë dhe gjykojë se nuk ka arkitekt të mirë shqiptar.

Natyrisht, në një vizitë jashtë vendit, mikpritësi kujdeset që përpos takimeve diplomatike të servojë edhe pak kulturë, pak shkencë, pak art, dhe, natyrisht, pak arkitekturë. Politikani shqiptar i pa shëtitur, i pa ngopur, dhe ndonjehere i padinjitetshëm, mendon i mahnitur se si të krijojë një mirëqenie të tillë. Rrugës, nikoqiri kujdeset të mesojë mysafirin se mirëqenia shoqërore që po i’u paraqitet është vetë jeta dhe se duhet gjenerata e gjenerata për të arritur deri te një mirëqenie e tillë.

Paradoksalisht, ‘politikani shqiptar’, në vend se të mendojë për vendosjen e themeleve të mirëqenies shoqërore kombëtare, për krijimin e legjislaturës shtetërore të zingjirit të mirëqenies, ai/ajo e sheh mandatin e vet me përfundim kohor. Pra, në vend se të mendoj për arsim cilesor, për krijime të standardeve, dhe vendosje te urave te mirëqenies, politikani shqiptar e sheh shtetin si trashegimi përmbyllëse mbrenda mandatit te tij, dhe jo vazhdimësi përtej pushteteve individuale.

Natyrisht, nikoqiri kujdeset që të kjartësojë se këto janë punë që nuk bëhen në një mandat. Permes mikpritjes, politikanet ndërkombëtar tentojnë të bindin mysafirin se nuk ka kohë për krijim të standardeve; nuk ka kohë për prodhim të materialeve cilësore shqiptare; dhe se nuk ka kohë për krijimin e arkitektit që di. Prandaj për shkak të miqësisë së re të krijuar, nikoqiri do të bëjë të pamundurën dhe t’i prezëntojë atkitektët dhe prodhimet e shtetit të tij, vetem per ti ndihmuar mysafirit nëse do të kryej ndonjë punë mbrenda mandatit të tij.

Pra sic duket, ‘…arkitekti që di…’ po promovohet nga nikoqiri, i cili natyrisht ka njohuri të mjaftueshme, se përmes projektit potencial, do të eksportohen edhe materialet nga vendi i tij.

Industria e ndërtimit rrit prodhimin dhe eksportin, rrit buxhetin e shtetit, rrjedhimisht rritë buxhetin për art, për kulturë, dhe për sport. Si pasojë rritet mirëqenia e tyre kolektive.

Ky është zingjiri i mirëqenies.

Prandaj, me formimin e parantezes se: ‘…nuk ka arkitekt shqiptar që di…’, nikoqiri, kryen misionin e mirëpritjes. Kjo “… nuk ka arkitekt shqiptar qe di…” nuk është vetëm konstatim i domosdoshmërise për të prezentuar arkitektët e tyre dhe per te percmuar arkitektet shqiptar, perkundrazi, është edhe reflektin i domosdoshmërisë që për mirëqenien e nikoqirit qe prezanton projekte ‘ndihmuese’ nuk ‘duhet te kete arkitekt shqiptar qe di.’

Prandaj, i mahnitur nga ajo qe sheh, “politikani shqiptar” kthehet në vend dhe kerkon një pjesë të asaj që ka parë dhe përjetuar, me shpejtësi. Fillon të shohë veten në madhështinë e një objekti. Si bëhet kjo në një shpejtësi të mandatit?

Me përsëritjen e parantezës së mësuar se: ‘…nuk ka arkitekt shqiptar që di…’ politikani shqiptar mahnitë veten që ka një iluminim, ka një zgjidhje të shpejtë për probleme afatgjatë, dhe parandalon zhvillimin e zingjirit të mirëqenies shoqërore.

Natyrisht, i bindur fuqishëm nga ky deluzion i madheshtise fillon edhe fyerja e inteligjencës: ‘…nuk din ti…’ apo si i thonë në Shqipëri ‘…çke ti, ta them unë…’. Politikani dhe argati lokal i politikanit, analisti politik, bëhen protagonistet kryesor të përcmimit të vlerave kolektive. Pa keqardhje, të njejtit dalin dhe perdorin fjalinë ‘…unë mendoj…’ ne ekspertizat e tyre për art, letërsi, kulturë, politikë, ekonomi dhe për cfarëdo teme që të bie në mend. Ndonëse ironike, analisti politik dhe politikani janë të vetmit qe kanë cka të thonë dhe deklarojnë pavarësisht fusheveprimit te tyre. Ata sillen si të gjithdijshëm dhe të mire menduar, pavaresisht fushes se tyre te ‘ekspertizes’.

Prandaj, nuk i duhet kryeministrit te cuditet për politizimin e popullit kur programet e mediave kanë 60% programe politike, 20% marketing dhe seriale fyese, dhe 20% të tjera.

Në bombardimin mediatik qe i behet shoqerise shqiptare nuk ka emisione arti, kulture, ekonomike, edukative dhe shkencore, mos të flas për emisione arkitekture. Siaps pronarëve dhe udhëheqësve të mediave, këto emisione janë të kushtueshme dhe se prodhimi i tyre nuk ka leverdi ekonomike. Kurse, më nje cinizem është se pikërisht këta pronarë e drejtorë mediumesh presupozojnë permes profesionalizmit te tyre medioker se emisione te tilla ‘nuk kanë shikueshmëri’.

A do te merrej një shqiptar me politikën po të kishte mirëqenie, punësim, dhe mundësi për argëtim? A do të mirrej një shqiptar me politikë nëse politika nuk do të mirrej me ta, por me krijimin e mirëqenies për ta?

Them dhe jam i bindur se jo.

Një shqiptar që lodhet në punë, ka mundësi dëfrimi, ka mundësi të shkojë në kinema, teatër, balet, te vizitojë galeri artesh, të udhëtojë dhe njohë vendin e vet, të njihet me kulturën, historinë, arkeologjinë dhe arkitekturën, të mirret me sport, të mirret me shkencë dhe kultivojë mirëqnien, them se nuk do të kishte mundësi dhe as deshirë të dëgjojë analizën e ‘…analistëve politik…’ mbi politikën. Rrjedhimisht, nuk do të mirrej me politikën, dhe nuk do të ishim populli më i politizuar në planet sic edhe pretendon kryeministri i Shqiperise, Edi Rama.

Por, përse nuk ndodhë kjo? Do te mjaftonte nje analogji e thjeshtë që do të ngrihej ne formë dileme :

‘Pse një fëmijë nuk fillon të vrapojë para se të ecë? Si te fillojë ai fëmijë të ecë nëse nuk rrin në këmbë? Dhe si mund të rrijë në këmbë nese nuk rrezohet në barazpeshim dhe provon përseri…’

Që një femijë te rrijë në këmbë duhet t’i ndihmojmë të kalojë frikën. Ketu fillon ecja. Duhet t’i japim duarët të mbahet kur është gati të rrëzohet dhe kur të fillojë të vrapojë duhet brohoritur me nje ze mbeshtetes se mundet. Por, kete mbeshtetje se gjejmë dot ne politiken shqiptare.

Si te ia shpjegoj vajzës time, qe ka vendosur të studiojë arkitekturën, vizionin e përjetuar ‘të një politikani te nesërm Kosovar, i cili pas disa viteve do të predikoje ngjajshëm si politikani shqiptar se ‘nuk ka arkitekt të mire në Kosovë…’.

Qe të mos mirremi me politikë, na ktheni vullnetin. Me vullnet dalim prej depresionit kolektiv. Me dalje nga depresioni, humbim varësinë. Me humbje të varësisë, humbim inferioritetin. Me humbje të inferioritetit, fillojmë një qark te ri ku nuk mendojme sikurse te nenshtruar, por casemi ndaj mundesive me zell dhe pozitivitet.

Kujtoni të gjithë shqiptarët individualist që janë në majet e artit botëror. Kujtoni se si mburremi me ta. Mendojeni se atyre nuk ju thotë njeri ‘… nuk din ti…’ apo ‘…çke ti, ta them unë…’

Për hir të gjeneratave te reja dhe të vajzes time që do të studijojë arkitekturë, thuani dikujt ‘…ti din…’ e sidomos gjejeni një ‘…arkitekt shqiptar që di… ‘

Thyejeni tabunë e ‘mosdijes’ per të mësuar sa arkitektë të mirë qe dijnë kemi!

Fillojeni qarkun e krijimit të mirëqenies.

………………………. / Autori eshte arkitekt nga Prishtina

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu