• |
ide | kryesore

KQZ vendos regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e 6 marsit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



KQZ ka vendosur të regjistrojë koalicionin “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, duke pranuar vetëm dy partitë politike Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, por jo Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha pas debateve mes përfaqësuesve të PD e LSI, se “Në vlerësimin përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt koalicionin e partive politike LSI dhe PDK, emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” dhe partia udhëheqëse është LSI”.

Më tej, Celibashi sqaroi se simbolet e Partisë Demokratike nuk mund të pranohen në këtë koalicion, sepse cenohet interesi i një force tjetër politike.

“Secili prej jush dha mjaftueshëm argumente mbi çështjen. Ndaj po e përfundojmë këtu diskutimin nga ana juaj. Vlerësimi i KQZ lidhur me këtë kërkesë është: Ne konsiderojmë që, duke arsyetuar dhe pretendimet e përfaqësuesit të PD, së pari për legjitimitetin e kërkesës mbi afatin, ne këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot. LSI si parti politike figuron të jetë e regjistruar si subjekt zgjedhor. Nuk mund të them që pretendimi i Logut ishte alogjik, por mendoj se si pretendim nuk ka bazë ligjore. Po shqyrtojmë një kërkesë të rikonfirmuar edhe nga përfaqësuesi i LSI të interesit të tyre për të pasur një koalicion zgjedhor në zgjedhe. Vlerësoj që kërkesa e subjektit zgjedhor LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion, ka legjitimitet të plotë dhe mund e duhet të shqyrtohet si kërkesë.

Lidhur me përmbajtjen e pjesën materiale mendoj dhe vlerësoj që ai pretendim qëndron, sa i përket disa aspekteve identifikuese, qoftë politike, por edhe zgjedhore, të këtij koalicioni, vlerësoj se nuk qëndron kërkesa e Logut për ta kthyer për plotësim kërkesën, pasi do të ishim në këtë situatë, nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. Ne i kemi të gjitha elementet dokumentarë, kemi dhe diçka më shumë, dhe jemi në situatën kur kërkesa në përbërje të saj reflekton konfliktualitet me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Ndaj, kërkesa për të përfshirë në simbole, sigla apo edhe në thelbin e vet elementë që lidhen me PD nuk mund të pranohen. Nga ana tjetër, ajo çfarë vlen më shumë është diskutimi lidhur me ato elementë që mund të krijojnë konfuzion. Në vlerësimin përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt koalicionin e partive politike LSI dhe PDK, emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” dhe partia udhëheqëse është LSI”, u shpreh Celibashi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *