• |
ide | kryesore

Konflikti me Ukrainën/ Britania e Madhe kërkon të rishqyrtohet licenca për televizionin shtetëror rus

-Instant, Arkiva, Planet, Të fundit



Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha të mërkurën, më 23 shkurt, se i ka kërkuar rregullatorit britanik të rishikonte licencën e transmetimit të kanalit rus të lajmeve Rusia Sot (RT) pasi Moska njohu dhe urdhëroi dislokimin e trupave në rajonet separatiste të Ukrainës lindore.

I pyetur në Parlament nëse do t’i kërkonte rregullatorit Ofcom të rishikonte licencën e RT, Johnson u përgjigj: “Unë besoj se … Sekretari i Shtetit për Kulturën, Median dhe Sportin i ka kërkuar tashmë Ofcom-it që ta shqyrtojë këtë çështje.”

“Por ajo që do të them … është se ne jetojmë në një demokraci,” shtoi ai.

“Ne jetojmë në një vend që beson në fjalën e lirë. Dhe mendoj se është e rëndësishme që ne duhet t’ia lëmë në dorë Ofcom-it dhe jo politikanëve që të vendosin se cilat organizata mediatike të ndalojnë, kjo është ajo që bën Rusia”, tha Johnson.

Më 2 shkurt Rregullatori për transmetim në Gjermani, ka ndaluar transmetimin e kanalit në gjuhën gjermane të televizionit shtetëror rus, RT.

Ndërsa Rregullatori mbikëqyrës i transmetimeve në Francë më 4 shkurt ka hapur një hetim mbi mbulimin e lajmeve nga RT.

Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.

Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.

Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *