• |
ide | kryesore

Robert Lewandowski ndërpret akordin me Huawei: kompania kineze ndihmon hakerat rusë

-Instant, Sport



Robert Lewandowski i jep fund partneritetit me Huawei. Lojtari i Bayern Mynih dhe Polonisë prishi marrëveshjen me kompaninë kineze të teknologjisë pasi u publikuan informacionet se Huawei po ndihmon hakerat rusë gjatë pushtimit të Ukrainës. Kompania me bazë në Shenzhen, sipas një faqeje lajmesh kineze, ndihmoi Vladimir Putin dhe qeverinë e tij të stabilizonin rrjetin e internetit rus pasi u sulmua nga grupe hakerash nga e gjithë bota. Lajmi, i cili u zhduk nga faqja pothuajse menjëherë, pretendonte se Huawei kishte përdorur qendrat e saj kërkimore për të formuar “50,000 ekspertë teknikë në Rusi”. Kompania, e kontaktuar për të dhënë një koment, nuk u përgjigj.

Lewandowski, megjithatë, nuk u mendua dy herë dhe vendosi të largohej menjëherë nga roli i tij si ambasador. Lojtari përfaqësonte kompaninë kineze në Poloni, Skandinavi, Evropën Qendrore dhe Lindore. Huawei Polonia, pas zgjedhjes së sulmuesit, lëshoi një deklaratë duke u shprehur e keqardhur: “Huawei CBG Polska shpreh keqardhje për përfundimin e partneritetit me Robert Lewandowskin. E vlerësojmë partneritetin tonë afatgjatë dhe i urojmë suksese në të ardhmen”.

Menaxheri i sulmuesit, Tomasz Zawislak, sqaroi situatën për Interia Sport: “Është e vërtetë, sot vendosëm t’i japim fund bashkëpunimit të marketingut mes Robert Lewandowskit dhe markës Huawei. Prandaj, nga ana jonë, zbatimi i të gjitha shërbimeve promocionale është pezulluar”. Zawislak u pyet nëse vendimi i lojtarit lidhej me lajmet e ardhura nga Kina, por menaxheri nuk dha informacione të mëtejshme: “Nuk kemi informacion të plotë për këtë, kështu që do të ndalem në atë që kemi të afirmuar”.

Lewandowski u pozicionua menjëherë kundër pushtimit rus të Ukrainës. Si kapiten i Polonisë ai udhëhoqi bojkotimin e ndeshjes së play-off të Kupës së Botës kundër Rusisë: “Është vendimi i duhur – shkroi ai në Twitter – nuk mund ta imagjinoj të luaj një ndeshje me kombëtaren ruse në një situatë ku agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon. Futbollistët dhe tifozët rusë nuk janë përgjegjës për këtë, por ne nuk mund të pretendojmë se asgjë nuk po ndodh”. Ndeshja duhej të zhvillohej në fund të këtij muaji, por kombëtarja ruse është përjashtuar nga FIFA dhe UEFA.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *