• |
ide | kryesore

Kërcënoi me bombardime në Budva, ekstremisti rus dyshohet se fshihet në Shqipëri (FOTO)

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një ekstremist rus, Vladislav Podznajkov, që terrorizoi Malin e Zi duke kërcënuar me shpërthime në Budva dyshohet se po qëndron tashmë në Shqipëri. 

Media malazeze pohon se të dielën në adresë të kabinetit të Drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në Podgoricë, Dejan Vukshiç, ka mbërritur një letër kërcënuese sipas së cilës “nëse të gjitha televizionet në Mal të Zi nuk raportojnë afirmativisht për agresionin e Rusisë në Ukrainë, TQ Plaza në Budvë do të shkatërrohet”. 

(Në foto “TQ Plaza”, qendra e madhe tregtare në qendër të qytetit bregdetar të Budvës)

E përditshmja ‘Pobjeda’ shkruan se Agjencia e ka noftuar policinë një ditë më pas, të hënën në mbrëmje kur njësitet speciale janë dërguar urgjentisht në këtë qytet dhe menjëherë është bërë evakuimi i njerëzve nga ndërtesa shumëkatëshe, por fatmirësisht alarmi ka rezultuar fals.

Gazeta ‘Pobjeda’, duke iu referuar zyrtarëve anonimë nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, thotë se mesazhi ka qenë i nënshkruar nga “shtetasi rus, ekstremisti që deri vonë ka qëndruar në Mal të Zi, Vladislav Podznjakov (Podznyakov)”. I njëjtin burim, duke iu referuar burimeve policore malazeze, njofton KDP, bën të ditur Poznakov nga fillimi i shkurtit ka braktisur vendin duke udhëtuar për në Shqipëri.

Pohohet se ai në e-mailin e dërguar kishte saktësuar se është minuar e gjithë Plaza dhe se shpërthimi do të ishte shkatërrimtar nëse nuk përmbushet kërkesa e tij. I njëjti burim rikujton se jo më larg se të enjten e kaluar kreu i kësaj agjencie Vukshiç kishte deklaruar për një televizion në Podgoricë se “rreziku nga ndërhyrja e shërbimeve të huaja në rrethanat politike malazeze vjen nga shtetet të cilat nuk janë partnere, e një ndër to është Rusia”. 

KDP transmeton njoftimin e të përditshmes në Podgoricë se i sipërpërmenduri Vladislav Podznjakov u gjet në qendër të vëmendjes, më herët këtë muaj, kur gazeta kroate ‘Jutarnji list’ botoi një artikull ku thuhej se “grupimi famëkeq i racistëve, urrejtësve të grave dhe homofobëve zhvillon luftërat e Putinit, nga Podgorica”, kurse Podznjakovin e emërtoi si prijës të grupit, njeri i cili është banor i kryeqytetit malazez nga ku përhap urrjetjen dhe glorifikon pushtimin rus të Ukrainës duke shpërndarë dezinformata për këtë luftë.

Pavarësisht kësaj, organizatata Nisma Qytetare ’21 maji’ kërkoi nga autoritetet verifikimin e qëndrimit të shtetasit rus në këtë vend: “Duke pasur parasysh se Podznjakov ishte prijës i organizatës ekstremiste ‘Shteti burrëror’ të cilës në territorrin e Federatës Ruse i është ndaluar puna me vendime të plotëfuqishme të gjykatës, ne kërkuam që pa vonesë të verifikohet nëse qëndrimi i tij i mëtjshëm në Mal të Zi mund të përbëj rrezik për sigurinë e Malit të Zi dhe të qytetarëve të tij,”- pati deklaruar zyrtari i kësaj organizate Sasha Zekoviç.

(Në foto: Ekstremisti rus i dyshuar se fshihet në Shqipëri, Vladislav Podznjakov) 

‘Pobjeda’ bën të ditur se në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Podgoricës është thënë se “nuk do të inicohet kurrfarë procedure, por se kallëzimi i është dërguar Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Drejtorisë së Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme” me qëllim që këto institucione të ndërmarrin masa dhe veprime konform kompetencave të veta.

Është interesante të përmendet se sipas të dhënave të policisë kufitare malazeze shtetasi rus ka kaluar dy herë vendkalimin kufitar me Shqipërinë, Hani i Hotit dhe po kaq edhe atë të Sitnicës me Bosnjë e Hercegovinën. ‘Pobjeda’ duke iu referuar të dhënave të Drejtorisë së Policisë, në Podgoricë, saktëson se Vladislav Podznjakov për herë të fundit ka kaluar kufirin shtetëror në vendkalimin kuftar të Hanit të Hotit më katër shkurt të këtij viti. /Përshtatur nga portali KDP, ©Lapsi.al 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *