• |
ide | kryesore

Borrell: Asetet e ngrira të Rusisë të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës

-Instant, Lajme, Planet

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku duhet ta shqyrtojë mundësinë e sekuestrimit të aseteve të ngrira nga rezervat valutore të Rusisë dhe t’i përdorë ato për të ndihmuar në financimin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës pasi të përfundojë lufta.


Borrell tha për Financial Times se një masë e tillë do të ishte e ngjashme me atë të Uashingtonit, kur ky i fundit përdori asetet e ngrira të Bankës Qendrore afgane, pas kthimit të talibanëve në pushtet, për të ndihmuar Afganistanin e shkatërruar nga lufta.


Në mars, Rusia tha se sanksionet ndaj saj për shkak të luftës në Ukrainë, kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë asete – gjysma e rezervave të përgjithshme të arit dhe valutës së saj – të mbajtura jashtë vendit nga Banka Qendrore e Rusisë.

“Komisioni Evropian ka thënë se çmimi i rindërtimit mund të arrijë në qindra-miliarda dollarë dhe kryeqendrat e BE-së duhet ta shqyrtojnë mundësinë e sekuestrimit të rezervave të ngrira të valutës ruse për të ndihmuar në financimin e rindërtimit në Ukrainës pas luftës”, tha Borrell për Financial Times.

Ne i kemi paratë në xhepat tona dhe dikush duhet të më shpjegoj pse një vendim i tillë mund të vlejë për paratë afgane dhe jo për paratë ruse”, shtoi ai.

Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, administrata amerikane e presidentit Joe Biden, ngriu pothuajse 7 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore, të cilat po mbaheshin në Bankën e Rezervave Federale në Nju Jork.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë tha se planifikonte që të përdorte gjysmën e aseteve, që aktualisht janë të ngrira në Amerikë, për ndihmë humanitare dhe pjesën tjetër mund ta përdorë për të kompensuar familjarët e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Borrell tha se një masë e tillë mund të jetë një nga mënyrat përmes së cilave Rusia mund të detyrohet që të paguajë “kompensime të luftës” për pushtimin e paprovokuar kundër Ukrainës, të cilin e nisi më 24 shkurt.

“Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme politike që aktualisht është në tavolinë: kush do të paguajë për rindërtimin e Ukrainës?”, tha ai./ REL/

 

1 Comment

  1. Zoti Borrell ka shume te drejte per kompensimin e demeve te luftes ne Ukraine me shitjen e aseteve te oligarkeve, tashme te bllokuara.

    Mendoj se demshperblim duhet te kerkojne edhe Iraku e Afganistani, madje edhe Siria per shkaterrimin e objekteve kulturore me rendesi boterore dhe pasuri e njerezimit.

    Krim dhe ndeshkim-kjo do te ish motoja qe ndoshta do t’i bente te mendoheshin agresoret e cdo vendi dhe mbeshtetesit e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.