• |
ide | kryesore

Video/ Gjashtë gola dhe tre asiste: Vrioni i pandalshëm, Asllani gati për një ekip të madh

-Instant, F1, Sport, Video



Gola, asist e performanca të rëndësishëm nga futbollistët e Kombëtares shqiptare në kampionatet e tyre respektive, edhe pse skenën e ka rrëmbyer mbi të gjithë Giacomo Vrioni. Sulmuesi nuk ndalet në kampionatin austriak me Tirolin, duke qenë protagonisti kryesor i ndeshjes së fundit të kampionatit, me një gol e dy asist në fitoren 4-2 ndaj Hartberg. Uebsajti i specializuar për statistika, “SofaScore” e vlerëson me notën 8.9 djaloshin shqiptar, që këtë sezon ka shkëlqyer me gola në radhët e Tirolit.

Kthehet te goli edhe Odise Roshin, i cili realizoi golin e tij të parë me Bolusporin në Turqi, duke qenë një nga protagonistët e fitores për skuadrën turke këtë fundjavë.

Edhe mesfushori tjetër i Kombëtares, Ylber Ramadani arriti të gjejë rrugën e rrjetës për MTK Budapest, duke e mbyllur me gol sezonin në Hungari. Edhe Albi Doka e Herdi Prenga kanë luajtur minutat e tyre në kampionatin hungarez, duke dhuruar paraqitje dinjitoze në ndeshjet e fundit të këtij edicioni.

Kjo ka qenë një fundjavë mjaft pozitive edhe për Qazim Laçin, i cili festoi së bashku me skuadrën e tij, Ajaccio, suksesin për ngjitjen në kampionatin elitë francez, Ligue 1, në edicionin e ardhshëm. Laçi luajti për 90 minuta në fitoren e së shtunës ndaj Toulouse-s.

Etrit Berisha ka qenë pa dyshim një nga protagonistët kryesorë për Torinon këtë fundjavë, teksa gardiani kuqezi ruajti të paprekur portën torineze për 90 minuta. Kristjan Asllani, pas golit të realizuar javën e kaluar ndaj Interit, ka dhuruar një asist në ndeshjen ndaj Salernitanës, që u shfrytëzua më së miri nga Kutrone.

Nedim Bajrami, Rey Manaj, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Sokol Cikalleshi e Endri Çekiçi janë aktivizuar gjithashtu me skuadrat e tyre këtë fundjavë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *