• |
ide | kryesore

Arrestimi në Shqipëri i 7 të arratisurve, policia spanjolle tregon se për çfarë akuzoheshin

-Instant, Lajme, Të fundit



Një operacion i përbashkët policor mes Shqipërisë dhe Spanjës ka çuar në pranga shtatë persona me shtetësi shqiptare te cilët ishin arratisur dhe ishin shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle.

Mediat spanjolle raportojnë se gjashtë nga të arratisurit, me kombësi shqiptare, kishin një urdhër arresti ndërkombëtar për trafik droge; dhe i shtati, gjithashtu shqiptar ishte në kërkim për kryerjen e më shumë se 40 vjedhjeve.

Operacioni u krye në kuadër të Konventës së fundit Evropiane për Ekstradimin e nënshkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës, e cila hyri në fuqi më 18 mars 2022 dhe në bazë të së cilës agjentët e Policisë Kombëtare Spanjolle dërguan një listë me 25 objektiva.

Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur sot akuzat që rëndojnë ndaj shqiptarëve të arrestuar.

“Për herë të parë, në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, agjentë të Policisë Kombëtare Spanjolle kanë proceduar në arrestimin e shtetasve me kombësi shqiptare në kuadër të Konventës së fundit Evropiane.

Në koordinim me Zyrën e Atasheut të Brendshëm në Bullgari, Ukrainë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Qipro dhe Interpol Tiranën, nga autoritetet gjyqësore spanjolle u arrestuan shtatë persona, të cilët thuhet se fshiheshin në territorin shqiptar.

Një prej të arratisurve të arrestuar në kuadër të këtij operacioni kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjykatë në Arenys de Mar (Barcelona) si pjesë e një organizate kriminale të dedikuar për kultivimin intensiv të bimëve të marijuanës, e cila vepronte që nga tetori 2019, nga shtëpi të ndryshme me qira në disa provinca të Spanjës.

Një tjetër prej të arratisurve ndodhej në qytetin e Vlorës, Shqipëri, atij i ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar si pasojë e dënimit për një krim kundër shëndetit publik në mënyrën e tij të kultivimit dhe trafikimit të bimëve marihuanë të kryer nga një organizatë kriminale.

Si pjesëtar i një organizate kriminale, ai merrej me kultivimin intensiv të kësaj droge në banesa apo ambiente të ndryshme industriale të marra me qira enkas për këtë aktivitet.

Arrestimi i një të arratisuri të tretë u bë në qytetin e Tiranës pasi ishte dënuar për veprën penale të trafikut të drogës, duke qenë drejtues i një organizate turko-shqiptare të dedikuar për futjen dhe më pas shpërndarjen e heroinës në Spanjë.

Një i katërt i arratisur u arrestua në qytetin shqiptar të Lezhës pasi u akuzua për më shumë se 40 grabitje në shtëpi të banuara në tetor 2012 dhe anëtarësim në një organizatë kriminale.

Ky është një operacion i vazhdueshëm në të cilin vazhdon shkëmbimi i informacionit operacional me synimin për të gjetur më shumë të arratisur nga drejtësia spanjolle”, thuhet në komunikatën e policisë spanjolle.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *