• |
ide | kryesore

Hetimet për dhunën në Kapitol, Trump: Gjyq kangurësh

-Instant, Lajme, Planet



Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka konsideruar hetimin për dhunën në Kongres vitin e kaluar si “gjyq kangurësh”. Në deklaratën e tij prej 12 faqesh, ai ka thënë se hetimet synojnë të heqin vëmendjen e amerikanëve nga qeverisja katastrofale e demokratëve, sipas mediave të huaja.

Komentet e tij kanë ardhur pasi një komitet i Kongresit ka mbajtur dy seanca, në të cilat Trump është akuzuar për përpjekje për grusht shteti, në mënyrë që të mbetej në pushtet. Paneli ka bërë të ditura hollësi edhe për ndasitë që kanë ekzistuar mes ndihmësve të Trumpit, në lidhje me humbjen e tij në zgjedhje.

Mbështetësit e Trump hynë në ndërtesën e Kongresit më 6 janar 2021, për të penguar çertifikimin e fitores së Joe Biden.  Nga një hetim penal janë kryer më shumë se 800 arrestime deri më tani.

“Shtatëmbëdhjetë muaj pas ngjarjeve të 6 janarit, demokratët nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Trump në deklaratën e tij.

Komiteti i Kongresit është duke synuar të tregojë se pretendimet e Donald Trump për vjedhje të votave, kanë çuar në sulmet kundër ndërtesës së Kongresit. Në pjesën më të madhe të deklaratës, Trump ka përsëritur sërish supozimet e tij për manipulime të zgjedhjeve presidenciale.

Që prej zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020, disa raste të dyshuara për manipulim votash janë ndjekur edhe ligjërisht, por në asnjërin prej tyre nuk është vërtetuar ndonjë shkelje e kryer enkas për të favorizuar Joe Biden.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *