• |
ide | kryesore

Arrestohet “skifteri” i Sarandës, zbardhen vjedhjet që kishte kryer

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një 22-vjeçar me inicialet E.D është vënë në pranga ditën e sotme në Sarandë, pasi i janë dokumentuar shtatë vjedhje të mëparshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Seven”.

Në kuadër të këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasit E. D., 22 vjeç, banues në Konispol, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin e datës 18.08.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë në zonat e Vagalatit, Finiqit, Konispolit dhe Sarandës, konkretisht:

Më datë 25.12.2021, në fshatin Leshnicë e Poshtme, Finiq, dyshohet se ka vjedhur disa vegla pune, në automjetin tip kamionçinë, në pronësi të shtetasit K. L;
Më datë 12.01.2022, në lagjen nr.2, Ksamil, Sarandë, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në kioskën e shtetases A. P;
Më datë 31.01.2022, në lagjen “Rinia”, Ksamil, Sarandë, dyshohet se ka vjedhur dy qen gjahu, në banesën e shtetases M. P;
Më datë 17.03.2022, në fshatin Çlirim, Finiq, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë dhe një bateri makine, në automjetin tip furgon, në pronësi të shtetasit kanadez C. D;
Më datë 01.04.2022, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në banesën e shtetasit Xh. D.;
Më datë 24.05.2022, në fshatin Vrion, Finiq, dyshohet se ka tentuar të vjedhë magazinën e shtetasit P. H.;
Më datë 10.08.2022, në fshatin Çiflik, Konispol, dyshohet se ka vjedhur 2 kondicionerë në banesën e shtetasit M. GJ.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe në disa banesa në fshatin Vagalat, Finiq.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *