• |
ide | kryesore

Shqiptarët ndihen më mirë me shëndet se rajoni dhe vende të Europës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ndonëse shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Europë, pagesat nga xhepi më të lartat, shërbimi shëndetësor në spitale lë për të dëshiruar dhe vendi po përballet me emigracion të mjekëve e infermierëve, shqiptarët ndihen më mirë me shëndet se rajoni dhe shumë vende të tjera të Europës.

Eursotat ka publikuar së fundmi raportin që mat përmes anketimit se si qytetarët e vetë vlerësojnë shëndetin e tyre. Raporti mat vetë perceptimin për shëndetin, sipas grup moshave për vendet e Bashkimit Europian dhe ato kandidate.

12.9% e grup-moshës mbi 65 vjeç e vlerësojnë shëndetin e tyre si të keq, ose shumë të keq. Shifra është shumë më e ulët sesa e Serbisë (33.9%), Maqedonisë së Veriut (27.1%). Mesatarja e bashkimit Europian është 18%. Të dhënat i referohen vitit 2020, kur ishte dhe vala e pandemisë.

Të moshuarit dhe të rinjtë

Të moshuarit shqiptarë renditen ndër 9 vendet që ndihen më mirë me shëndet. Këtu futen edhe vendet e Europës Nordike, që kanë një shërbim shëndetësor shumë më të zhvilluar. Mjeku Petrit Malaj shpjegon se ky tregues i ulët mund të lidhet me pritshmëritë e ulëta që kanë të moshuarit për shëndetin e tyre sai përket cilësisë së jetesës.

Por, jo vetëm të moshuarit. Vetëm 4.5% e grup moshës nga mosha 45-64 vjeç e perceptojnë shëndetin e tyre si keq ose shumë të keq. Mali i Zi kryeson edhe për këtë grup moshë. E njëjta tendencë vijon edhe me të rinjtë. Vetëm 1.4% e grup moshës nga mosha 18-44 vjeç e perceptojnë shëndetin e tyre si keq ose shumë të keq. Më herët, një botim i INSTAT, Shqipëria në shifra referoi se, në vitin 2020, 82,8% e Individëve 16 vjeç e lart kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë shumë mirë ose mirë kundrejt 82% që ishte në vitin 2019.

4,5% e individëve 16 vjeç e lart kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë keq ose shumë keq. Në vitin 2020, 21% e 16-vjeçarëve e lart kanë raportuar se kanë nevojë të paplotësuar për ekzaminim ose trajtim dentar. Kjo shifër ishte 23,4% në vitin 2019.

Nevojat e paplotësuara për ekzaminim ose trajtim mjekësor ose dentar lidhen me një sërë arsyesh ku mund të përmenden mos përballimi financiar i shërbimit, pritja në listë, mungesa e kohës për shkak të punës, largësia ose mungesa e transportit, në pritje se mos kalon vetë problemi i tyre shëndetësor, etj.

Të dhënat janë kalkuluar nga Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës 2019, 2020. INSTAT shpjegon se në vlerësimin e vetë termin “shëndet” e bazon në vetë-perceptimin subjektiv të Individëve dhe i referohet shëndetit në përgjithësi dhe jo problemeve të përkohshme duke përfshirë dimensionet e ndryshme të shëndetit si shëndeti mendor, emocional dhe fizik./ Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *