• |
ide | kryesore

Radiografia e BE/ Pikat kryesore të progres raportit

-Instant, Arkiva, Kryesore
progres raport



Përpjekja e qeverisë për një amnisti fiskale dhe penale, tentativa e saj për tu ofruar pashaportave të arta shtetasve të huaj, lufta kundër korrupsionit dhe hapat mbrapa në lirinë e shprehjes, janë vërtjtjet kryesore që Komisioni Evropian vë në pah në raportin e përvitshëm për Shqipërinë.

Në këtë dokument që Brukseli harton për të gjitha vendet që mëtojnë të bëhen një ditë anëtare të BE-së, duket se megjithë skepticizmin gjithnjë e më të madh të publikut ndaj reformës në drejtësi, Komisioni Evropian vazhdon ta mbështesë atë. Lapsi.al i ka paraqitur të përmbledhura pikat kyçe të progres raportit.

Paralajmërimi kundër amnistisë fiskale

“Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë” është fraza më e rëndë që gjendet në dokument. Aty theksohet se vendi gjendet në “në listën gri” të financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave. Ky shqetësim kundër amnistisë fiskale është shprehur si nga vendet anëtare po ashtu dhe nga Komisioni Evropian, FMN-ja dhe SHBA, por tani për tani qeveria nuk ka treguar vullnet për ta tërhequr këtë nismë. në fund të shtatorit kryeministri Rama mohoi të jetë tërhequr nga kjo nismë: “ne nuk jemi tërhequr, por ne po vazhdojmë të diskutojmë dhe po vazhdojmë të dëgjojmë për të sheshuar të gjitha moskuptimet, keqkuptimet apo edhe për të ekspozuar edhe mosdëshirën për të mos kuptuar” tha ai në një konferencë për gazetarët duke ironizuar me BE-në”, “Mos i qani hallin asaj”.

Kundër pasportave të arta

I lidhur me shqetësimin e pastrimit të parave është edhe ideja e autoriteteve shqiptare për dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend. Gjatë kësaj vere qeveria hodhi një tjetër hap për promovimin e kësaj ideje. Por në këtë pikë progres raporti është i qartë: “Shqipëria duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së”.

Dënimi i zyrtarëve të korruptuar

Ndonëse në Shqipëri propagandistët pro qeverisë i mëshojnë me të madhe faktit se nuk ka ndodhur kurrë më parë që të burgosen zyrtarë të lartë për krim dhe korrupsion, progres raporti e vizaton situatën me ngjyra shumë më pak pozitive. Sipas Komisionit “pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë. Sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni, kërkojnë vlerësim të synuar të rrezikut dhe masa të dedikuara”.

Liria e cunguar e medias

Këtë viti Shqipëria theu një rekord ku u rrokullis me 20 vende poshtë në klasifikimin e lirisë së mediave të organizuar për çdo vit nga “Reporters sans frontieres”. Raporti i komisionit Evropian është më i butë por përsëri për dor shprehjen “Nuk është bërë përparim”. Aty theksohet rrezikshmëria e projekt ligjit “anti-shpifje” nga i cili qeveria nuk heq dorë dhe thuhet se “çdo ndryshim në Ligjin për mediat duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim me organizatat e medias”. Po ashtu vëmendje tërhiqet edhe për binomin politikanë pronarë që ka vënë nën zap lirinë e shprehjes në vend: Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë”. Progres raporti vë në dukje edhe klimën e intimidimit ndaj gazetarëve: “Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”

Përparimet në reformën në drejtësi

Komisioni Evropian vazhdon të rrefuzojë idenë e dështimit të Reformës në Drejtësi, të mbështetur dhe të financuar prej tij, që ende vazhdon ta përshkruajë me nota pozitive. Reforma në Drejtësi gjykohet se ka patur “një përparim përgjithësisht të mirë”. Vettingu gjykohet se “ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme. Deri më 12 shtator, institucionet e vettingut kishin përfunduar 554 çështje të shkallës së parë. Rreth 64% e dosjeve të vettingut të përpunuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit të magjistratëve të verifikuar”. 

©Lapsi.al



7 Comments

  1. Vetem SHBA eshte shpresa e kombit shqiptar.Nese nuk do ishte miqesia e SHBA, Shqiperine do ta gllaberonin qelbesirat sllave te stepave dhe kelyshet e tyre te ndyre ne ballkan.

  2. Berisha është dhunuesi dhe përdhunuesi i votës së lirë të demokratëve, dhe po tenton të bëjë këtë makijazh për të shfaqur veten. Fituesi i zgjedhjeve është opozita, por sepse hyn në sistem. Përgatituni dhe një herë për një disfatë, karma është rikthyer dhe tani mund ta shohësh dhe në portretin e Berishës.

    1. E ku janë arritjet këtu përveç gjoja reformës në drejtësi ku ngulmohet se është sukses!!! Asnjë arritje nuk ka dhe akoma i bien daulles të suksesit të reformës që është dështimi më i madh duke e kthyer këtë sistem një armë të partisë shtet duke mos hetuar e gjykuar korrupsionin e madh qeveritar rilindas.

  3. Berisha do të thotë, që nuk pata çfarë të bëj, luftova nuk donin ata, tani po bashkohem me Metën në “Shtëpinë e Lirisë”. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse një skenar i përgatitur që në fillim, madje edhe me ndarje torte ku në zgjedhje Berisha e Meta do të regjistrojnë kandidatët e tyre.

  4. Qytetarët janë të pakënaqur me qeverinë Rama por janë edhe më të pakënaqur me opozitën PD-PL. Shumica dërrmuese e të anketuarëve, 66,3% e vlerësojnë këtë opozitë si keq dhe shumë keq. Ndërkohë që qeveria Rama vlerësohet keq dhe shumë keq nga 45,8% e të anketuarve. Pra refuzimi ndaj opozitës është më i lartë se refuzimi ndaj qeverisë. Kaq mjafton për të kuptuar se përse Rama fiton me opozitën aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *