• |
ide | kryesore

Vras.ja tek Kodra e Diellit/ Zbulohen detaje të reja nga hetimi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Kodra e Diellit



Policia e Tiranës dhe ajo e Lezhës po koordinohen në të gjitha veprimet që po kryejnë me qëllim vrasj.en e 39-vjeçarit nga Lezha, Briken (Skerdilaid) Sanaj tek Kodra e Diellit.

Ndonëse dëshmitë deri në këto momente janë mbajtur sekret nga ana e grupit hetimor, ajo çka është mësuar prej dy ditësh lidhet me pistat konkrete dhe një person që është fiksuar në një pamje filmike në momentin që ka tentuar të largohet në drejtim të mjetit që e priste jashtë rrethimit të kompleksit.

Policia dhe prokuroria kanë në duar një lloj pamjeje që lidhet me vizivitetin e personit. Ndonëse ka qenë thuajse tërësisht i kamufluar me rroba të zeza. Por, Policia ka nisur kërkimet për një profil të ngjashëm. Kjo, për të mundësuar përfarimin e tipareve të personit që është fiksuar nga një pamje e largët.

Dje, Sanajt i është dhënë lamtumira. Ndërkohë Policia ende nuk ka mundur të sigurojë dëshmitë kryesore të familjes. Konkretisht për të hedhur dritë mbi një konflikt mes dy familjeve. Konflikt që ende nuk dihet se si është mbartur kaq gjatë në një vend si Lezha. Policia nuk ka mundur të gjejë asnjë të dhënë që e komprometon viktimën. Prandaj dyshimet kanë shkuar në pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje. Konkretisht në lidhje me këtë konflikt mes të rinjsh më shumë se sa një dekadë më parë.

HETIMET

Gjithçka është parë dhe fiksuar si provë në vendin e ngjarjes dhe tek automjeti në flakë është sekuestruar nga Policia. Po ashtu, bëhet me dije se janë ushtruar kontrolle në disa banesa në Lezhë, qytet dhe në Ishull. Ende Policia nuk bën me dije se kush janë personat e fokusuar si të dyshuar të përfshirë në konfliktin e hershëm mes dy familjeve që kanë jetuar dhe bashkëjetuar në Ishull Lezhë.

Të dhënat tregojnë se në fakt, shkak i atij sherri është edhe një ngjarje e shënuar 6 vite më parë në qytetin e Lezhës. Kur nga një automjet u qëllua mbi tre persona që gjendeshin në një lokal. Për fatin e keq të tij, një i ri humbi jetën, një u plagos dhe një person tjetër mundi t’iu shpëtonte plumbave. Policia e qytetit të Lezhës aso kohe hodhi edhe shumën prej 5 mijë eurosh për këdo që jepte informacion të saktë mbi vrasjen e atij djali. Por në fakt autori nuk u mësua dhe aq më pak u kap ndonjëherë.

I plagosuri mbijetoi dhe ngjarja si shumë ngjarje të tjera të rëndë u harrua. Nuk dihet se në çfarë faze janë hetimet dhe nëse gjendet ndonjë informacion i vlefshëm për të shkuar te zbardhja e vrasjes së Sanajt.

Lexo më tej: Detaje/ Ç’po ndodh me hetimet për eliminimin te “Kodra e Diellit” 

Kkonflikti mes familjeve Sanaj dhe Kola mësohet se ka gjeneruar disa konflikte të njëpasnjëshme mes të rinjsh. Kështu tregojnë burime nga Policia. Por sipas tyre, është ende herët që fokusi të jetë pikërisht në përplasjen e shumë viteve më parë. Ekspertët e hetimit kanë kërkuar të marrin pamje filmike të të gjithë rrugëtimit të mjetit me të cilin ka udhëtuar viktima nga Lezha e deri në Tiranë. Ekziston një dyshim që autorët mund ta kenë ndjekur. Nga Lezha deri në momentin që ka mbërritur në vendin edhe ku u vra.

Por, në hapjet e disa pamjeve filmike në afërsi të rezidencës, verifikimet e pamjeve nuk kanë shquar automjetin me të cilin janë larguar vrasësit, për të bërë krahasimet me pamjet e rrugëve të tjera. Por, burimet theksojnë se po punohet për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe autorët. /N.Kovaçi, panorama



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *