• |
ide | kryesore

Lamtumirë “Magjistari i Topit” Pele

-Instant, F1, Kryesore, Sport
Pele



Pas Diego Maradonës largohet një tjetër legjendë. Futbolli loton për mbretin e tij: O Rey Pele. Lojtari i vetëm që ka fituar tre kampionate botërore do ta shohë tani lojën e tij të dashur nga Atje lart… Prej vitesh diskutohet e debatohet se kush ishte më i madhi i kohërave, ai apo Maradona. E përgjigja nuk do të vijë kurrë. Braziliani është më i kompletuar (djathtosh, i fuqishëm fizikisht, i aftë për të shënuar gola të pamundur me kokë, si ai në finalen e 1970 kundër Italisë). Argjentinasi është më vendimtar (i aftë të tërheqë skuadra jo të parezistueshme drejt majave më të larta dhe i guximshëm për tu sfiduar në futbollin evropian).

Legjenda e futbollit Edson Arantes do Nascimiento Pelé u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. O’Rey ishte viktimë e kancerit të zorrës së trashë . Ylli brazilian e kishte luftuar këtë sëmundje që nga viti i kaluar. Shëndeti i tij ishte komplikuar ditët e fundit. Ai kishte ndaluar së reaguari ndaj kimioterapisë dhe po merrte kujdes paliativ në spitalin Albert Einstein në Sao Paulo.

Pele u shtrua në spital të martën e kaluar për një rivlerësim të trajtimit të tij për kancerin e zorrës së trashë. Për shkak edhe të Covid, gjërat u komplikuan e ai vuante edhe nga një infeksion respirator. Në një deklaratë, spitali raportoi të shtunën se reagimi i ish-futbollistit ishte i mirë dhe se ai po i përgjigjej mirë trajtimit kundër këtij infeksioni. Por 29 dhjetori ishte një datë, që Pele nuk e ‘dribloi’ dot.

SHIFRAT NUK TË LËNË TË GABOSH

Por le t’i përmbahemi numrave. Tre Kupa Bote (1958, 1962 dhe 1970, me 1966 të humbur për shkak të goditjeve të marra nga bullgarët dhe portugezët). Në karrierë O’Rey luajti vetëm për dy klube: Santos dhe Cosmos New York, në fazën e fundit të karrierës së tij. Pelé fitoi: 10 kampionate shtetërore të São Paulo, katër turne Rio-São Paulo, 6 kampionate braziliane, pesë radhazi Taça Brasil, dy edicione të Copa Libertadores, e po aq të Kupës Ndërkontinentale, edicionin e parë (nga dy të luajtura) të Superkupës së Kampionëve Interkontinental dhe një kampionat NASL me New York Cosmos në SHBA.

NJË PALMARES SI ASKUSH…

Goli i tij kundër Suedisë në finalen e vitit 1958 është goli më i madh në historinë e finaleve të Kupës së Botës FIFA. Ai mban rekordin e golave të shënuar në karrierë, 1281 në 1363 ndeshje. Ndërsa në ndeshjet zyrtare ka shënuar 757 gola në 816 ndeshje. E llogaritur me një mesatare prej 0.93 gola për ndeshje. Pele është futur në National Soccer Hall of Fame dhe është përfshirë nga revista javore amerikane Time në “TIME 100 Heroes & Icons” të shekullit të 20-të. Braziliani është shpallur “Thesar Kombëtar” dhe “Trashëgimi Historike Sportive e Njerëzimit”. Ai është Futbollisti i Shekullit për FIFA-n, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatën Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS). Pele është Topi i Artë i Shekullit i FIFA-s, më vonë iu dha Topi i Artë i nderit i FIFA-s.

Sido që ta shihet e të debatohet, mozaiku i aftësive të jashtëzakonshme teknike dhe numri i çmimeve ekipore dhe individuale e vendosin atë në shkallën më të lartë të futbollistëve të të gjitha kohërave (ndoshta në bashkëjetesë…) e në podiumin e sportistëve të historisë. Lamtumirë O’Rey, Atje lart do të kesh me cilin të luash në të njëjtin nivel…



3 Comments

  1. Vdiqe per te mos vdekur kurre .
    Ne kembet e tua o Mbret , topi ndjehej i perkedhelur .
    Respekte e perulje gjithmone !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *