• |
ide | kryesore

Rritet numri i emigrantëve të paligjshëm në Europë

-Instant, Lajme, Planet



Çështja e emigracionit dhe nevoja për të reformuar sistemin e azilit të BE-së ka marrë një rëndësi më të madhe në një kohë kur numri i emigrantëve ka shënuar sërish rritje në kontinent.

Tetë vjet pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, Bashkimi Europian ende nuk ka miratuar reformën e azilit. Gjithashtu, fuqia e ekstremit të djathtë në vendet europiane po ndërlikon edhe më shumë perspektivat e arritjes së një konsensusi për çështjen e një ndarjeje më të mirë të përgjegjësive brenda Bashkimit në lidhje me azilkërkuesit.

Çështja e imigracionit, më konkretisht ajo e kthimit të emigrantëve të parregullt në vendin e tyre të origjinës, pritet të diskutohet nesër, në një takim të ministrave të brendshëm europianë në Suedi, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së dhe për këtë arsye negociatat për çështjet europiane do të mbahen në fund të qershorit.

Në këtë vend skandinav, i cili deri në vitet 2015-2016 kishte një nga politikat më bujare të azilit në kontinentin europian, qeveria mbështetet që nga tetori në një aleancë të paprecedentë me partinë e ekstremit të djathtë Demokratët Suedez (SD).

Marrëveshja e arritur midis tre partive qeverisëse forcon më tej qasjen kufizuese ndaj imigracionit të miratuar nga qeveria e mëparshme socialdemokrate, tha Berd Parusel nga Instituti Suedez për Studimet e Politikave Europiane, i cili u intervistua nga Agjencia Franceze.

Ai synon “të reduktojë imigracionin sa më shumë që të jetë e mundur” dhe qeveria dhe aleatët e saj “me siguri nuk do të kërkojnë për një kompromis (eropian) që mund të rrisë numrin e azilkërkuesve në Suedi.

Disa aspekte të Paktit për Migracionin dhe Azilin, të paraqitur në shtator 2020 nga Komisioni, po përparojnë, veçanërisht zgjerimi i fushëveprimit të Eurodac, bazës së të dhënave europiane që përmban gjurmët dixhitale të gishtërinjve të migrantëve të parregullt dhe azilkërkuesve.

Por perspektiva e miratimit të të gjithë paktit përpara zgjedhjeve europiane të vitit 2024, siç janë zotuar Parlamenti dhe Këshilli i BE-së, është të paktën e pasigurt.

Sepse pika më e mprehtë, reforma e sistemit të Dublinit dhe rishpërndarja e azilkërkuesve midis vendeve të BE-së, mbetet e bllokuar.

Nga njëra anë janë vendet mesdhetare, të cilat ankohen për barrën që kanë për shkak të Rregullores së Dublinit, sipas së cilës vendi ku arrin një emigrant i BE-së është përgjegjës për trajtimin e kërkesës së tyre për azil.

Por nevoja për reformë është e menjehershme pasi Bashkimi Europian po përballet me rritje të numrit të emigrantëve: 330,000 emigrantëve të paligjshëm  në 2022, niveli më i lartë që nga viti 2016, sipas Frontex.

Rreth 924,000 kërkesa për azil u regjistruan në vitin 2022, një rritje me 50% në një vit, sipas Komisioneres Europiane për Punët e Brendshme Ylva Johansson, e cila theksoi se BE ka pranuar gjithashtu katër milionë refugjatë ukrainas.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *