• |
ide | kryesore

VOA: Bandat krìmìnale në Europë po depërtojnë në bizneset e ligjshme

Arkiva, Lajme, Të fundit
Bandat



Rrjetet kriminale në Bashkimin Evropian po depërtojnë në bizneset e ligjshme në të gjithë bllokun evropian duke u mbështetur te korrupsioni për të zhvilluar aktivitetet e tyre. Kjo është tabloja e zymtë që del nga një raport i publikuar të premten nga agjencia e BE-së për sundimin e ligjit. Sipas Drejtoreshës së EUROPOL-it, gjysma e qindra rrjeteve kriminale që janë identifikuar së fundmi “janë të përfshirë në trafik droge”, ndërsa kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të ndihmojnë që t’i vënë këto grupe më mirë në shënjestër.

EUROPOL-i ka identifikuar 821 rrjete kriminale me rrezikshmëri të lartë. Sipas raportit të publikuar sot, këto rrjete, kanë më shumë se 25,000 anëtarë në të 27 vendet e Bashkimit Evropian. Sipas EUROPOL-it, 86% e rrjeteve kriminale më të rrezikshme janë në gjendje të depërtojnë në ekonominë e ligjshme për të fshehur aktivitetet e tyre dhe për të pastruar fitimet.

“Këto rrjete kriminale janë të afta të veprojnë në shumë vende në të njëjtën kohë. Ata janë aktivë në një sërë fushash kriminale, nga trafiku i drogës tek mashtrimi, krimi me prona, kontrabanda e emigrantëve ose trafikimi i qenieve njerëzore. Gjysma e tyre janë të përfshirë në trafik droge”, thotë Catherine De Bolle, Drejtoreshë Ekzekutive e EUROPOL-it.

Më shumë se 70% e këtyre rrjeteve përfshihen në korrupsion “për të lehtësuar veprimtarinë kriminale apo për të penguar zbatimin e ligjit ose procedurat gjyqësore. 68% e rrjeteve përdorin dhunën dhe frikësimin, tipari thelbësor i veprimtarisë së tyre”, thuhet në raport.

Lexo më tej: Protesta/ Opozita do arrestimin e Erjon Veliajt për korrupsion 

Europol-i thotë se të dhënat do të ndahen me agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet anëtare të BE-së, të cilat duhet të ndihmojnë që t’i vënë kriminelët më mirë në shënjestër.

“Ne e kthyem të padukshmen në të dukshme dhe mesazhi për kriminelët është, nuk mund të fshiheni më. Ne do ta ndajmë këtë listë me shtetet anëtare që i kanë këto rrjete kriminale në territorin e tyre. Më pas, në përputhje me kuadrin ligjor të Europolit, vetë vendet do të vendosin me kë do ta ndajnë këtë informacion”, thotë Catherine De Bolle, Drejtoreshë Ekzekutive e Europol-it.

Vite më parë EUROPOL-i arriti të deshifrojë aplikacionin për mesazhe telefonike Sky – ECC, një mjet i preferuar komunikimi i trafikantëve të kokainës në Evropë. Pas kësaj, EUROPOL-i arriti të kap tonelata të llojeve të ndryshme të drogës dhe zbuloi një mori aktivitetesh kriminale të grupeve evropiane, përfshirë një mori arrestimesh që janë bërë në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje si dhe në Ameriken Latine, në bashkëpunim me autoritetet atje.

“Kërcënimi është i madh dhe ne e shohim atë çdo ditë në vendet tona anëtare. Në Suedi vitin e kaluar, pati 350 të shtëna me armë zjarri. Së fundmi janë bërë 700 arrestime lidhur me bastisjet e drogës në Francë. Ne kemi parë se çfarë ndodhë në Belgjikë dhe vendet e tjera anëtare. Unë mendoj se raporti doli në kohën e duhur për rrjetet kriminale më të rrezikshme”, tha Ylva Johansson, Komisionere e BE-së për Çështje të Brendshme.

Në qytetin port Antwerpen të Belgjikës, hyrja kryesore për kartelet e kokainës të Amerikës Latine për në Evropë, dhuna e bandave ka qenë e përhapur prej vitesh.

Me përdorimin e drogës në rritje në të gjithë vendin, autoritetet federale thonë se trafikimi po depërton me shpejtësi në shoqëri. /VOA/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *