Të paktën një person është plagosur pas një sulmi me thikë në metronë e Brukselit. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë pranë stacionit Schumann, ku janë vendosur institucionet e BE-së. Në vendngjarje kanë mbërritur makina të ndihmës së shpejtë së bashku me disa policë të cilët kanë rrethuar menjëherë zonën. Mediat shkruajnë se sulmuesi u arrestua.
Policia federale ka konfirmuar se “një person është plagosur dhe një i dyshuar është arrestuar”. Një dëshmitar i cituar nga La Libre Belgique tregoi ngjarjen.
“Gruaja ime pa një burrë të armatosur me thikë në metronë që po shkonte drejt qendrës së qytetit” – rrëfeu ai. Sipas një dëshmitari tjetër, i dyshuari më pas ka tentuar të vazhdojë sulmin duke vrapuar brenda stacionit dhe duke tentuar të sulmojë një grua me karrocë. ©LAPSI.al





