• |
ide | kryesore

Marrëveshja me Serbinë, Albin Kurti zbardh detaje të planit franko-gjerman

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas insistimit të partive opozitare ka prezantuar disa pika të propozimit franko-gjerman.

Sipas tij plani i propozuar më 9 shtator nga i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është plan, por propozim dhe nuk është një marrëveshje finale, por një kornizë bazike.

“Kjo marrëveshje ka paragarafe dhe fjali të tëra që merren nga modeli i Dy Gjermanive, është sërish një marrëveshje bazë jo marrëveshje finale e ligjërisht të obligueshme, ndërkombëtarisht e obligueshme çfarë na nevojitet neve”.

Neni 2 i kësaj marrëveshjeje, sipas shefit të Qeverisë së Kosovës, nuk përmban njohjen de jure, por vetëm atë de facto

“E dyta është që Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë, Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës, ne sot kemi mosnjohje reciproke, ajo çka na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë, ajo nuk është finale, marrëveshja sipas modelit të Dy Gjermanive e bënë ndarjen e njohjes reciproke në ndarje de facto dhe de jure”, ka shtuar ai.

Marrëveshja, sipas Kurtit, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurt, ku në preambulë në gjuhën angleze shkrua Legacy of the Past, pra flet për trashëgimin e së kaluarës.

“Në kuadër të preambulës është edhe trashëgimia e së kaluarës. Do shumë punë për ta definuar se si duhet adresohet ajo. Ne jemi në fillim të fillimit. Në preambulë gjithashtu ka referencë për National Minorities pra pakicat kombëtare, mirëpo çka do të bëhet me këtë togfjalësh sërish varet nga zhvillimet politike dhe procesi i mëtutjeshëm negociator”, ka shtuar ai.

Fjalia e fundit në nenin 10 të propozimit evropian, sipas Kurtit, po ashtu ju referohet marrëveshjeve të mëhershme, të gjitha marrëveshjeve në Bruksel, përfshirë edhe Asociacionin e Komuanve me Shumicë Serbe

“Beogradi po bënë betejën më të madhe që nenin 10 përkatësisht fjalinë e fundit të tij ta nxjerrë në preambulë në mënyrë që Asociacioni të jetë parakusht ose në qendër, por ai për neve nuk është e pranueshme as si parakusht as në qendër dhe për këtë propozimi franko-gjerman është në favorin tonë meqenëse Asociaiconin nuk e ka as parakusht as në qendër”.

Kurti më tej gjatë fjalimit të tij ka bërë të ditur se ai nuk e ka refuzuar propozimin në fjalë.

“Kam thënë që diskutimet e mëtutjeshme mbi këtë bazë do të mund të bëjë”.

Shefi i qeverisë ka treguar edhe pse ai e konsideron propozimin franko-gjerman si bazë të mirë.

“Deri më sot Kosova nuk e ka pasur një propozim në të cilën janë konceptet evropiane dhe demokratike me vlerë universale. Një marrëveshje bazë e cila e ka vlerta universale brenda unë konsiderojë edhe e drejtë edhe e dobishme për Kosovën”, ka shtuar ai.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *