• |
ide | kryesore

Analiza e BIRN/ Përpjekjet e PS për të mbajtur Kamzën pas humbjes së thellë më 2021

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
ps



Biznesmeni Rakip Suli kërkon një mandat të dytë në postin e kryetarit të Bashkisë Kamëz, pasi mori bashkinë në vitin 2019 në zgjedhje pa garë, hera e parë që socialistët kontrollojnë pushtetin në njësinë tradicionalisht opozitare. Nëse ai fiton, PS-ja do të ketë thyer një barrierë të rëndësishme elektorale dhe pasojat mund të ndjehen edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023. Suli përballet me dy kundërshtarë, Arjan Hoxhën e koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Bilbil Bajraktarin nga Partia Demokratike.

Kamza është bashkia e tetë më e madhe në vend për nga numri i votuesve dhe një bashki e populluar përgjatë tre dekadave të fundit përmes rritjes së shpejtë demografike. Bashkia e re përbëhet nga ish bashkia Kamëz, e krijuar përreth një qyteze periferike të Tiranës dhe ish-Komunës Paskuqan, e cila gjithashtu ka njohur rritje të shpejtë demografike dhe që ka qenë dhe vijon të jetë e lidhur më shumë me Tiranën se sa me Kamzën.

Bashkia Kamëz është pjesë e qarkut Tiranë, kufizohet me qytetin e Tiranës dhe në shumë kuptime është vijim organik i qytetit të Tiranës. Një nga arsyet se pse maxhoranca socialiste e ndau në bashki më vete në vitin 2015 është fakti që kjo bashki mbështet në shumicë opozitën dhe se bërja e saj pjesë e bashkisë Tiranë mund të krijonte balancë mes palëve.

Bashkia e Kamzës është qeverisur në vijimësi nga Partia Demokratike me përjashtim të katër viteve të fundit ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, dy partitë e koalicionit aktual opozitar, PD dhe LSI, fituan në dy njësitë përbërëse të Kamzës me rezultat edhe më të thellë se sa PD fitonte zakonisht.

Popullsia votuese në Kamës është shtuar nga 81 mijë në vitin 2011 në 109 mijë në vitin 2023. Pjesëmarrja në votime ishte 52% në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar kur PD dhe LSI fituan 53% të votave ndërsa Partia Socialiste fitoi vetëm 40% të votave. Socialistët patën fituar 43% të votave në zgjedhjet e vitit 2011, gjë që sugjeron se votat shtesë në këtë bashki, rreth 10 mijë gjatë kësaj periudhe, janë shtuar më shumë për opozitën se sa për maxhorancën.

Bashkia e Kamzës ka një sipërfaqe prej 37 kilometrash katrore, një nga bashkitë më të vogla në vend sa i përket territorit. Ajo është edhe bashkia me densitetin më të lartë të popullsisë në vend. Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2011, densiteti ishte 2800 banorë për kilometër katror. Bashkia Kamëz rrethohet nga jugu, lindja dhe, pjesërisht nga veriu, nga Bashkia Tiranë ndërsa në veri-perëndim kufizohet nga bashkia Krujë e në perëndim nga bashkia Vorë. Bashkia Kamëz numëron 560 të punësuar.

Ndërtimi, tregtia dhe punishte të ndryshme përbëjnë bazën ekonomike të bashkisë së re, e cila ka nominalisht 14 fshatra por që pothuajse të gjitha janë aktualisht zona suburbane me pak aktivitet bujqësor. /Marrë nga Reporter.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *