• |
ide | kryesore

Fitimi i bankave arrin rekord në tremujorin e parë të këtij viti

Arkiva, Lajme, Të fundit
Fitimi



Rezultati financiar i sektorit bankar u rrit më tej në muajin mars.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi neto në janar-mars arriti vlerën e 6.78 miliardë lekëve, në rritje me 107% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë absolute, ky është fitimi më i lartë historik i realizuar nga sektori bankar shqiptar për tremujorin e parë të vitit.

Fitimet më të mëdha kanë sjellë edhe një përmirësim të dukshëm të treguesve të rentabilitetit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kthimi nga kapitali i sektorit, i mesatarizuar me bazë vjetore, u rrit në 14.58%, nga 7.36% që kishte në fund të tremujorit të parë të vitit të mëparshëm. Ndërsa kthimi nga aktivet u rrit në 1.7%, nga 0.84% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Shifrat bazohen në standardet e raportimit sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore.

Rritja e normave të interesit nga bankat qendrore në fazën e parë, ashtu siç pritej, ka pasur një ndikim pozitiv në performancën e bankave, duke zgjeruar rezultatin neto nga interesat.

Të ardhurat neto nga interesat për tremujorin e parë të vitit arritën në 16.05 miliardë lekë, në rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paralelisht, edhe të ardhurat nga burimet e tjera janë rritur në 3.37 miliardë lekë, 112% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Rritja në këtë zë ka ardhur kryesisht nga rënia e ndjeshme e humbjeve nga tregtimi i instrumenteve financiare, si edhe nga rritja e të ardhurave nga komisionet.

Në krahun e shpenzimeve, rritja e kredive me probleme po jep një ndikim të kufizuar mbi rezultatin financiar. Provigjionet për kreditë në tremujorin e parë të vitit kishin vlerën e 1.1 miliardë lekëve, në rritje me 57% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Në fund të tremujorit të parë, raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 5.15%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar, por në rënie nga niveli prej 5.4% ku ndodhej në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe shpenzimet e tjera të aktivitetit u rritën me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet e personelit arritën në 3.53 miliardë lekëve, duke shënuar edhe këtë tremujor rritje, me 14.5% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Rrjedhja e burimeve njerëzore është një fenoment që po prek gjithnjë e më shumë edhe sektorin bankar, i shprehur me rritja e shkallës së qarkullimit të stafit. Kjo ka bërë që një pjesë e bankave të aplikojnë rritje të pagave në dy vitet e fundit.

Edhe zëri i shpenzimeve të tjera të aktivitetit është rritur në 6.78 miliardë lekë, 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Megjithëse këto shpenzime nuk anë të detajuara, besohet se bankat kanë rritur ndjeshëm investimet për nevojat të përmirësimit të teknologjisë dhe rritjes së sigurisë së informacionit, pasi sektori u përball me një valë të sulmeve kibernetike vitin e kaluar./E.Sh. Monitor

Burimi: BSH 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *