• |
ide | kryesore

Reforma zgjedhore në ‘pikën zero’, opozita kërkon konsensus të ri

Arkiva, Lajme
Reforma zgjedhore në ‘pikën zero’, opozita kërkon konsensus të ri



Mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord të premten që të shtyjnë sërish afatin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi opozita kërkoi që të gjendej një konsensus i ri për funksionimin e tij, një vit e gjysmë pasi grupi bipartizan i punës nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

Një kërkesë për shtyrje të afatit, e firmosur nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj nuk u hodh në votim në seancën e fundit plenare të këtij sesioni që përfundoi të premten në mëngjes, pasi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se tre grupet parlamentare të opozitës nuk ishin dakord.

“Të tre grupet e opozitës kërkojnë modus veprimi se si ta çojmë përpara reformën zgjedhore,” tha Bardhi në sallën e Kuvendit, duke shtuar se: “nuk ka asnjë shkak të arsyeshëm për të shtyrë e shtyrë pa punë këtë komision”.

Komisioni i Posaçëm u ngrit në shkurt 2022, por ka bërë vetëm dy mbledhje deri më tani. Pavarësisht mungesës së produktit, Kuvendi i ka dhënë atij mandat të ri çdo 6 muaj.

Bardhi deklaroi komisioni “ka dështuar të përmbushë detyrën që i ka caktuar Kuvendi”, ndërsa shtoi se në 6 muajt e fundit nuk është mbledhur asnjë ditë. Ai i propozoi mazhorancës që në shtator të gjendet një mënyrë si të çohet përpara reforma, duke propozuar rikonceptim të punës së komisionit.

Kërkesa e tij u kundërshtua fillimisht nga deputeti socialist, Toni Gogu, sipas të cilit nuk mund të lihej Kuvendi pa këtë komision dhe kërkoi që të votohej zgjatja e mandatit në mënyrë të njëanshme.

Por Bardhi kundërshtoi duke i kujtuar se reforma është një proces që kërkonte konsensus politik.

“Për turpin tuaj dhe tonin, Parlamenti ka qenë pa këtë komision dhe ka bërë vetëm 2 mbledhje duke bllokuar reformën zgjedhore,” tha ai.

Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri pretendoi se komisioni ishte funksional dhe kërkoi zgjatjen e mandatit për të mos u kthyer siç tha ai “në pikën zero në shtator”.

“Komisioni nuk mund të rrijë peng i mosmarrëveshjeve mes opozitës,” shtoi Gjiknuri, duke aluduar se opozita kërkonte të ndryshonte kryetarin e saj në komision.

I pyetur nga BIRN nëse PD do të kërkonte ndryshimin e përfaqësuesve të saj në këtë komision apo do të kërkonte një mekanizëm të ri për reformën, Bardhi tha “të gjitha opsionet janë të hapura”.

Komisioni për reformën zgjedhore u ngrit me vendim të Kuvendit me datë 10 shkurt 2022, por nuk arriti të ketë asnjë produkt real pune në tre mandate 6-mujore. Dy bashkëkryetarët, Damian Gjknuri nga PS dhe Enkelejd Alibeaj nga PD, nuk kanë dhënë arsye objektive për mosfunksionimin e tij.

Komisioni ka si objektiv realizimin e ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor duke u bazuar në rekomandimet e fundit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Raporti përfundimtar i monitoruesve të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për abuzime me pushtetin gjatë fushatës, ndërsa Partia Demokratike u kritikua për ngritjen e “strukturave paralele” të mbrojtjes së votës./Reporter.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *