• |
ide | kryesore

Hetimi për koncesionin e sterilizimit/ Ish ministri Shkëlqim Cani shkon në SPAK

Lajme, Të fundit



SPAK thërret ish-ministrin e Financave Shkëlqim Canin dëshmitar për koncesionin e sterilizimit.

Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.

Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj.

Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.

Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.

Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.

“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.

SPAK ka lëshuar 8 urdhra arresti, me masa të ndryshme, dy me masën ‘arrest me burg’ për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapajn. Ndërkohë për dy zyrtarë të tjerë u caktua masa ‘arrest shtëpie’ si dhe për 4 të tjerë u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.



3 Comments

  1. Shkelqim Cani mbetet nder te rrallet socialiste qe ka sherbyer ne menyre te ndershme duke respektuar rregullat dhe ligjet e shtetit. Tek e fundit prandaj e hoqen dhe vune tigrin ne vend te tij, qe ta shqyenin kete vend me keq se c’e kishin shqyer ata perpara

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *