• |
ide | kryesore

Pensionistët e vetëpunësuar si të vetëm që përjashtohen nga detyrimet e sigurimeve shoqërore

Lajme, Të fundit



Efektet e përjashtimit nga pagesat e kontributit për sigurimet shoqërore te pensionistët e vetëpunësuar si të vetëm në sektorin privat llogariten nga 1 Prilli 2023 sipas ekonomistëve. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, përjashtimin e kësaj kategorie vetëm nga sigurimet shoqërore, pagesat për sigurimet shëndetësore për periudhën 3-mujore (prill-maj-qershor) janë në vlerën e rreth 8,200 lekëve nga rreth 33,000 lekë që paguhej më parë për periudhën 3-mujore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi për Monitor se “Për të vetëpunësuarit e vetëm si pensionist duke zgjedhur kategorinë i vetëpunësuar që përfiton nga pensioni i pleqërisë nuk paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore. Ndërsa për sigurimet shëndetësore paguajnë mbi dyfishin e pagës minimale pra me 2,720 lekë”.

Pensionistët që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat më përpara paguanin kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Përfituesve të pensionit të pleqërisë, koha e punësimit nuk u njihej si periudhë sigurimi.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar i miratuar më 20 Korrik 2023 në seancë plenare përfshin si masë lehtësuese që pensionistët, të cilët vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat, të mos paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra, jo më vonë se datat: 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar.

Nga masa lehtësuese përfitojnë 1,484 pensionistë të vetëpunësuar në sektorin privat sipas të dhënave në relacionin e projektligjit. Vlera mujore e kontributit që paguajnë ata është rreth 14,2 milionë lekë, ndërsa vlera vjetore është 169,8 milionë lekë. Kjo vlerë do të pakësohet nga të ardhurat e fondit të sigurimeve shoqërore. Miratimi i ndryshimeve ligjore nuk përfshin përjashtim përjashtimi nga pagimi i kontributeve për pensionistët e punësuar në sektorin privat. Lidhur me arsyen e mospërjashtimit të kësaj kategorie në relacion argumentohet se për personat e punësuar kontributet paguhen ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.

“Nëse do të përjashtoheshin nga pagesa e kontributeve të punësuarit në sektorin privat, do të deformohej tregu i punës, do të dëmtohej skema e sigurimeve shoqërore dhe do të kishte problematika në administrimin fiskal. Punëdhënësit do të ishin të prirur të punësonin vetëm pensionistë.

Përjashtimi nga pagesa e kontributeve i pensionistëve të vetëpunësuar si të vetëm në sektorin privat nuk krijon pasoja negative, përveç se pakëson të ardhurat në degën e sigurimeve shoqërore të barrë lindjes dhe të pensioneve, për të cilat kjo kategori paguan kontribute. Pagesa e kontributeve në këto dy degë nuk i siguron kësaj kategorie të pensionistëve një mbrojtje të shtuar”./Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *