• |
ide | kryesore

Teoria/ Në sistemin tonë diellor ka edhe një planet të 9-të

Arkiva, Lapsi Leaks
diellor



Toka, planeti ku jetojmë është pjesë e Sistemit Diellor, i cili përbëhet nga një grup trupash qiellorë që rrotullohen rreth Diellit. Sistemi ynë është pjesë e Rrugës së Qumështit, një galaktikë që përfshihet në “Universin e vëzhgueshëm” apo ndryshe hapësirën që mund të shihet nga njeriu. Deri më tani mendohej se kishte 8 planetë në sistemin tonë planetar, por ndoshta nuk është kështu. Ka teoricioenë që thonë se mund të jenë 9 të tillë.

Kjo teori është formuluar nga fizikanët teoricienë Harsh Mathur, nga Universiteti Case Western Reserve dhe Katherine Brown nga Kolegji Hamilton. Në studimin e tyre të botuar në “The Astronomical Journal” studiuesit thonë se provat për ekzistencën e një planeti të 9-të në Sistemin Diellor mund të ekzistojnë, bazuar edhe në teorinë Mond, një version i modifikuar i ligjeve të gravitetit të formuluara nga Isaac Newton, i zhvilluar për të kuptuar rrotullimin e galaktikave.

Hipoteza bazohet në supozimin se ligji i Njutonit është i vlefshëm deri në një pikë të caktuar. Kjo do të thotë, kur nxitimi gravitacional bëhet shumë i vogël, graviteti fillon të sillet ndryshe. Deri më tani kjo teori është përdorur si një hipotezë alternative për ekzistencën e materies së errët, materies misterioze dhe të padukshme që ndikon tek graviteti, por nuk lëshon dritë. 

Dy fizikanët teoricienë kanë filluar të aplikojnë teorinë Mond në studimin e pjesës së jashtme të Sistemit Diellor që në vitin 2016-të. Që atëherë ata filluan të vërejnë anomali që sipas tyre mund të shpjegohen vetëm me ekzistencën e një planeti të 9-të.  Të dy studiuesit pranojnë, megjithatë, se kanë punuar në një sasi të vogël të dhënash dhe se çdo mundësi tjetër mund të jetë e saktë.

Ka ende shumë punë për të bërë përpara se të vërtetohet ose rrëzohet hipoteza e planetit të nëntë, por pavarësisht nga rezultati, Brown thotë se “kjo punë thekson potencialin e sistemit të jashtëm diellor për të shërbyer si një laborator për testimin e gravitetit dhe studimin e problemeve themelore të fizikës”. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *