• |
ide | kryesore

Zbulohet ngjyra e vërtetë e Neptunit dhe Uranit

Arkiva, Lapsi Leaks
Neptunit



Idetë tona për ngjyrat e planetëve të Neptunit dhe Uranit kanë qenë të gabuara. Kjo është zbuluar nga një hulumtim i udhëhequr nga astronomët e Mbretërisë së Bashkuar. Imazhet e bëra nga një mision hapësinor në vitet 1980 treguan se Neptuni ishte në ngjyrë blu e ndezur dhe Urani me nuancë në të gjelbër. Tashmë një studim i fundit ka zbuluar se dy planetët gjigantë të akullt janë të dy me nuancë të ngjashme të blusë dhe të gjelbrës. Sipas këtij studimi, imazhet e mëparshme të Neptunit u përmirësuan për të treguar në detaje atmosferën e planetit.

“Atëherë ata bënë diçka që mendoj se të gjithë sot në Instagram do ta kenë bërë në një moment të jetës së tyre. Ata modifikuan ngjyrat” – i tha “BBC Radio 4’s Today”, Prof Catherine Heymans, astronome dhe profesoreshë e astrofizikës në Universitetin e Edinburgut. “Ata theksuan blunë vetëm për të zbuluar tiparet që mund të shihnin në atmosferën e Neptunit. Kjo është arsyeja pse imazhi dukej shumë blu, por në realitet, Neptuni është në të vërtetë shumë i ngjashëm me Uranin”.

Nasa's Voyager spacecraft in the 1980s

Astronomët e kanë ditur prej kohësh se shumica e imazheve të dy planetëve nuk pasqyrojnë me saktësi ngjyrat e tyre të vërteta, thotë Prof. Patrick Irwin nga Universiteti i Oksfordit, i cili drejtoi studimin e fundit. “Edhe pse ngjyra e ngopur artificialisht ishte e njohur në atë kohë mes shkencëtarëve planetarë dhe imazhet u publikuan me mbishkrime që e shpjegonin atë, ky përcaktim ishte humbur me kalimin e kohës” – shton ai.

Dr. Robert Massey, zëvendësdrejtor i Shoqërisë Mbretërore Astronomike (RAS), shpjegoi se përmirësimi i imazheve ishte procedurë normale në kërkimet astronomike. “Do të ishe budalla të shikoje një imazh astronomik dhe të mos mendosh se është ndryshuar. Ata duhet të jenë, sepse kështu përpunohen për të parë gjërat. Nuk është se ka pasur ndonjë komplot për ta fshehur atë nga publiku!”

Prof. Irwin dhe ekipi i tij përpunuan të dhënat origjinale për të prodhuar atë që pretendohet të jetë “përfaqësimi më i saktë” i ngjyrës së Neptunit dhe Uranit. Keqkuptimi fillestar lindi sepse imazhet e kapura të të dy planetëve nga misioni i anijes kozmike të NASA-s Voyager 2 regjistruan imazhet e saj në 3 ngjyra të veçanta.

Imazhet u rikombinuan për të krijuar imazhe të përbëra me ngjyra, të cilat nuk ishin gjithmonë të balancuara me saktësi. Kontrasti u rrit fuqishëm për të nxjerrë në pah detajet e reve, brezat dhe erërat e planetëve. Në rastin e Neptunit, të dy proceset e bënë atë më blu sesa ishte në të vërtetë. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *