• |
ide | kryesore

Goudjabi ‘kapet’ nga pamjet filmike: Disiplina shton pezullimin e lojtarit të Dinamos, përjshtohet përjetë Zefi

-Instant, F1, Sport
Goudjabi



Grusht i rëndë i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës mbi Shën Kollin. Penalizohet klubi dhe përjshtohet përgjithmonë nga futbolli futbollisti i tyre Bledar Zefi për agresion mbi arbitrin e ndeshjes. Ka shkuar keq edhe për lojtarin e Dinamos, Goudjabi. Mesfushori është pikasur nga pamjet filmike me gjeste antisportive ndaj tifozëve të Tiranës dhe është dënuar me tre ndeshje.

Goudjabi në momentin që po dilte nga fusha, pas kartonit të kuq të marrë, është kontestuar nga tifozët bardheblu. Lojtari ka reaguar me shenja ofenduese për spektatorët. Për shkelje të parimeve Fair Play, ai është dënuar me 3 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Klubi i Kategorisë së Dytë, Shën Kolli, ka humbur ndeshjen në tavolinë 3-0, për rrahjen e arbitrit, ndërsa përveç gjobës duhet të luajë edhe katër ndeshje në fushë asnjëanëse. Lojtari i Shënkolli, Bledi Zefi, e ka pësuar për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes. Episodi që solli ndërprerjen e ndeshjes midis KF Shënkolli kundër KF Sopoti i ka kushtuar atij përjashtimin përgjithmonë nga të gjitha veprimtaritë futbollistike të organizuara nga FSHF.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF

KF Tirana e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, klubi dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Lojtari i FC Dinamo, Bakary Goudiaby, e pëson për shkelje të parimeve Fair Play duke fyer me shenja ofenduese spektatorët. Në bazë të nenit 13/2/b të KDE, ai dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Zyrtari i KF Erzeni, Durim Keçi, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/j të KDE ai dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

KATEGORIA E PARË

FC Lushnja e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, klubi dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Zyrtari i FC Lushnja, Marius Sula, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/j të KDE, ai dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i FK Tomorri, Gelando Sharavaolli, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

KATEGORIA E DYTË

Lojtari i KF Shënkolli, Bledi Zefi, e pëson për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes midis KF Shënkolli kundër KF Sopoti. Në bazë të nenit 3/d, 6/2/c, 13, 14/1/l, 32, 59 dhe 77 të KDE, ai përjashtohet përgjithmonë nga të gjitha veprimtaritë futbollistike të organizuara nga FSHF.

KF Shënkolli e pëson për dhunën e ushtruar ndaj zyrtarit të ndeshjes, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes midis KF Shënkolli kundër KF Sopoti. Në bazë të neneve 6/3/d, 8/1, 16/1 dhe 17/1/b të KDE, klubi dënohet me gjobë në masën 200.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.

KF Shënkolli detyrohet të zhvillojë 4 (katër) ndeshje të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë Grupi A, në fushë asnjanëse. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *