• |
ide | kryesore

Tetova akuzoi FSHF-në, Disiplina e lë pa mesfushorin Spahiu: gjoba spektakolare për klubet

F1, Sport
Spahiu



Nuk ka dalë mirë ai duf i shfryrë nga tekniku Edlir Tetova në përfundim të ndeshjes Erzeni-Egnatia. Tekniku i rrogozhinasve akuzoi FSHF-në se nuk po garantonte mbrojtje për skuadrën e tij: “Jam pak i frikësuar se këtu çfarë nuk ndodhi. Unë nuk e kuptoj këtë lloj presioni çfarë është. Njerëz civilë, përderisa nuk ka kush të mbrojë, ndodhin këto gjëra”. Fjalët e teknikut, edhe ato në mbrojtje të lojtarit të tij Spahiu, i ndëshkuar me të kuqe, kanë rënë në vesh të shurdhër. Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në FSHF ka skualifikuar pikërisht shkodranin me 3 ndeshje.

Spahiu e pësoi “për provokim të spektatorëve” sipas asaj që lexohet në motivimin e dënimit. Në bazë të nenit 14/1/f të KDE, mesfushori është dënuar me 3 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Skualifikim kanë marrë edhe futbollisti i Besës Perja, po 3 ndeshje, por për sjellje të dhunshme, ndërsa zyrtari i Besëlidhjes Ndoka duhjet të qendrojë jashtë stadiumeve për 4 ndeshje. Disiplina ka shpërndarë edhe gjoba spektakolare, ku më e larta është ajo për Erzenin, 300 mijë lekë, për sjelljen e gabuar të tifozëve dhe fyerje të lojtarëve kundërshtarë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF

FK Erzeni e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke sjellë mungesë të rregullit dhe disiplinës në stadium, duke ofenduar dhe fyer lojtarët e ekipit kundërshtar. Në bazë të neneve 13/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.

Lojtari i KF Egnatia, Sebastian Spahiu, e pëson për provokim të spektatorëve. Në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

KF Tirana e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe përdorimin e mjeteve piroteknike. Në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

KATEGORIA E PARË

KF Lushnja e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Lojtari i KF Besa, Skerdian Perja, e pëson për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtarë. Në bazë të nenit 14/1/h të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Zyrtari i KS Besëlidhja, Xhulio Ndoka, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

KS Besëlidhja e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *