• |
ide | kryesore

Denoncoi Pregjën, Disiplina godet Flamurtarin: gjobë e skualifikim i trajnerit Memushaj

Sport
Memushaj



Në përfundim të ndeshjeve të kampionatit në Kategorinë Superiore dhe atë të Parë, Disiplina ka marrë vendimet, në lidhje me incidentet e ndodhura. 400 mijë lekë gjoba dhe pezullime e paralajmërime nga Komisioni, që në shënjestër ka patur veçanërisht Flamurtarin. Vlonjatët, që denoncuan në polici delegatin e FSHF-së Bujar Pregja për nxitje të dhunës e fyerje të tifozerisë, kanë marrë gjobën prej 100 mijë lekësh për sjellje të gabuar të tifozerisë. Edhe tekniku Eqerem Memushaj është pezulluar për 6 ndeshje, për sjellje të pahijshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Gjobat kanë vërshuar edhe mbi aktorët e derbi kryeqytetas, me Partizanin e Tiranën që duhet të paguajnë nga 100 mijë lekë secili për sjelljen e gabuar të tifozerisë. Të dy klubet duhet të dëmshpërblejnë edhe dëmet në stadium, të shkaktuar nga ultrasit e tyre. Gjobë ka marrë edhe Laçi, ndërsa dy zyrtarët e Vllaznisë dhe Kukësit Livareka e Koci janë skualifikuar respektivisht nga 2 e 4 javë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF

FK Partizani e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në bazë të neneve 17/1, 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

KF Tirana e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Zyrtari i KF Vllaznia, Bashkim Livareka, e pëson për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF Laçi e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në drejtim të lojtarëve në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Zyrtari i KF Kukësi, Qemal Koci, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/i të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KATEGORIA E PARË

Flamurtari FC e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës. Në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njeqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i Flamurtari FC, Eqerem Memushaj, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/i të KDE Memushaj dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *