• |
ide | kryesore

Fiton 2 milionë euro në “Gërvisht dhe fito”, por e padisin shokët: Duhet t’i ndajmë

Arkiva, Lapsi Leaks
fito



Në Itali bëri bujë lajmi në 2021 se një brazilian i identifikuar si Ricardo G.T ishte fituesi i një shume prej 2 milionë eurosh në lotarinë “Gërvisht dhe fito”. Ishte i njëjti që po atë vit kishte fituar 800 mijë euro me të njëjtën lojë në Modena. Por ai ende nuk mund të marrë shumën e majme pasi i kanë hapur telashe shokët e tij.

Giovanni S., 51 vjeç dhe Christian C., 62 vjeç akuzojnë Ricardon se i ka tradhtuar, duke pretenduar se kishin rënë dakord që të ndanin fitimin në 3 pjesë. Dy miqtë e kanë denoncuar për përvetësim, duke u shprehur se, me marrëveshje të përbashkët, menjëherë pas fitores, të tre kishin vendosur të kontaktojnë një noter për të zyrtarizuar ndarjen e parave.

“Ricardo na tradhtoi dhe në momentin e fundit u përpoq të marrë për vete të gjithë çmimin e madh”, – thonë ata. Në deklaratat e bëra, të pyetur nga prokuroria e Veronës, braziliani u mbrojt: “Dy milionët ishin për mua pasi unë e bleva biletën fituese. Nuk kisha blerë bileta në partneritet me ta. Nuk kisha nevojë. Unë kisha fituar para pak kohësh dhe kisha marrë tashmë 800 mijë euro. Është e vërtetë vetëm se mbrëmjen e 22 shkurtit isha në shtëpinë e Xhovanit kur fillova të gërvishtja kuponët që kisha marrë në tabakino në Garda. Kuponët janë të gjurmueshëm. Kur zbulova fitimin ai u gëzua dhe më pyeti nëse mund të bënte një foto”.

Sipas asaj që raporton gazeta italiane “L’Arena”, Ricardo kishte vendosur t’u dhuronte nga 80 mijë euro secilit prej miqve. “Giovanni duhet të rregullojë dhëmbët dhe Christian ka shumë borxhe”, – ka shpjeguar ai duke shtuar se njëri nga dy miqtë kishte filluar ta “mërziste” duke i kërkuar të shkonin te noteri për të shmangur gruan e Rikardos që mund të kërkonte kthimin e parave në të ardhmen.

“Nuk jam budalla. Në datën 17 mars erdhën në kantier, por nuk është e vërtetë që kishte njerëz të tjerë. Isha unë Niki, Xhovani dhe Kristiani dhe ata vazhduan të insistojnë. Unë iu përgjigja se duhej t’i merrja unë paraë dhe se unë do ta mbaja premtimin”.

Ai tha se pak ditë më vonë ishte kontaktuar nga Policia Financiare që i kishte kërkuar sqarime për ngjarjen. Për më tepër, llogaritë e tij ishin bllokuar. Braziliani thotë se është i fiksuar me kartat gërvishtëse. “Marr deri në 3 herë në ditë. Nuk humbas kurrë, me paratë që fitoj blej kuponë të tjerë. Unë ndjek statistikat dhe sistemet Lottomatica. Unë di vendet ku mund të fitoni nga 1 mijë euro e lart”, – tha ai gjatë gjykimit. Procesi vijon. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *