• |
ide | kryesore

Kënaqësia e shqiptarëve nga jeta është ndër më të ulëtat në Europë

Lajme, Të fundit



Kur pyeten se sa të kënaqur janë nga jeta, shqiptarët e vlerësojnë këtë tregues në 5.7 pikë nga në një shkallë nga 0 (shumë të pakënaqur) në 10 (shumë të kënaqur). Treguesi është matur nga Eurostat dhe i përket vitit 2021.

Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian (BE), kënaqësia e shqiptarëve është më e ulët. Për 2021, shkalla e kënaqësisë nga jeta në BE ishte 7.2 dhe në vitin 2022 zbriti në 7.1 (për Shqipërinë, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2021).

Shqipëria u rendit e dyta me nivelin më të ulët të kënaqësisë në Europë, në të njëjtin nivel me Bullgarinë dhe vetëm pas Turqisë (5.6).

Nga vendet e tjera të rajonit, që i kanë të disponueshme të dhënat, Mali i Zi e kishte shkallën e kënaqësisë në nivelin e 6.4 në 2021, por që zbriti në 5.8 në 2022.

Ndërsa në Serbi, shkalla e kënaqësisë së të jetuarit u rrit në 6.1 në 2022, nga 6 në 2021.
Maqedonia e Veriut e ka të dhënën e fundit e disponueshme të vitit 2020, kur treguesi i kënaqësisë nga jeta ishte 6 pikë.

Edhe për Kosovën e dhëna e fundit e disponueshme është e vitit 2020, me tregues po 6 pikë.

Sipas Eurostat, kënaqësia me jetën mund të ndikohet nga shumë faktorë si mosha, niveli i arsimimit, gjendja familjare dhe financiare, si dhe shumëllojshmëria e përvojave, zgjedhjeve, prioriteteve dhe vlerave të një individi.

Në Shqipëri, si për meshkujt, ashtu dhe për femrat, niveli i kënaqësisë për jetën është i njëjtë, të dy në 5.7 pikë.

Në Shqipëri, kënaqësia për jetën është më e ulët tek të moshuarit, me grupmoshën mbi 65% që e ka treguesin 5.4 pikë, më të ulët sesa mesatarja e vendit prej 5.7 pikë dhe më e larta tek të rinjtë 16-19 vjeç, me 6.3 pikë.

Sipas nivelit të arsimit, personat me arsim të ulët janë më të pakënaqur me jetën, me treguesin që vlerësohet në 5.4 pikë dhe më i lartë është për personat me arsim të lartë, në 6.5 pikë.

Bashkimi Europian

Sipas Eurostat, në vitin 2022, njerëzit në BE e vlerësuan kënaqësinë e tyre të përgjithshme nga jeta mesatarisht me 7.1 pikë në një shkallë nga 0 (shumë të pakënaqur) në 10 (shumë të kënaqur). Për 18 nga 27 vendet e BE-së, kënaqësia e përgjithshme e jetës u vlerësua mbi ose e njëjtë me mesataren e BE-së.

Vlerësimi ishte më i lartë në Austri (7.9), Finlandë, Poloni dhe Rumani (secila me 7.7), Belgjikë dhe Holandë (të dyja me 7.6) dhe më i ulëti në Bullgari (5.6), Gjermani (6.5) dhe Greqi (6.7).

Në të gjitha vendet përveç Bullgarisë, vlerësimet mesatare të kënaqësisë nga jeta ishin mbi 6, që do të thotë se shumica e njerëzve në BE deklaruan veten të kënaqur dhe jo të pakënaqur.
Ky tregues subjektiv i mirëqenies së qytetarëve europianë është mbledhur si pjesë e statistikave të BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës. / Monitor



3 Comments

  1. Ketu te kenaqur jane vetem pushtetaret dhe njerzit e lidhur me ta si patronazhistet, spiunet
    kriminelet, trafikantet, kontrabandistet. Largimi ne mase i njerzve dhe deshira e shprehur per te
    ikur e mbi 85 % e njerzve nese kane mundesi tregon per pakenaqesine e madhe per jeten ne
    Shqiperi. Problemi kryesor eshte se ky perkeqesim eshte si rezultat i perkeqesimit te gjendjes
    ekonomike, i perkeqesimit te gjendjes se sigurise dhe i perkeqesimit te te drejtave te njeriut
    dhe ky perkeqesim eshte i kalkuluar ne zyrat e rilindjes e ndoshta edhe pertej tyre qe te
    zbrazet Shqiperia nga populli shqiptar. Nuk eshte rastesi qe burgjet jane te tejmbushura
    ndersa fshatrat e qytetet te tejzbrazura dhe vende vende edhe te boshatisura ku kendojne
    vetem kukuvajkat. Nuk eshte rastesi qe ndersa popullsia ulet , administrata socialiste rritet.
    Pakenaqesia e popullit per jeten, eshte deshira me e madhe e rilindjes dhe strategjia
    paresore e saj, sepse kjo pakenaqesi eshte shtysa qe njezit te largohen, dhe Shqiperia te
    mbetet e tyre.

  2. Ja dhe pak. Sa te behen te gjithe lluce me hashash e kokaine dhe pastaj do jene te gjithe te kenaqur, te rilindur, si vete madheria e tij

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *