• |
ide | kryesore

BIRN: Testi PISA, plani i premtuar për ringritjen e arsimit mbetet rrugës

Arkiva, Lajme, Të fundit
PISA



Në 11 janar 2024, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu pretendoi në një takim për rezultatet e Maturës Shtetërore, se ministria kishte gati një plan masash për të përmirësuar arsimin parauniversitar dhe rezultatet e nxënësve në testimet ndërkombëtare. Plani i pretenduar nga Manastirliu ishte reagimi i parë pas njohjes me rezultatet e nxënësve nga Shqipëri në testin PISA, që dëshmoi rënien më të madhe të rezultateve të nxënësve shqiptarë në këtë testim.

“Ky plan synon të fillojë zbatimin e menjëhershëm nga ky muaj, me hapa konkretë që bëjnë bashkë të gjithë aktorët në fushën e arsimit dhe një ndërveprim maksimal i agjencive tona deri te shkolla, njësia bazë, aty është fokusi dhe qëllimi ynë,” – tha Manastirliu.

BIRN i kërkoi Ministrisë së Arsimi planin e pretenduar nga Manastirliu, por mori si përgjigje një shkresë më pak se dy faqe, në të cilat përmenden plane dhe reforma, por asnjë masë konkrete.

“Sa i përket planeve të veprimit të miratuara, ka nisur puna për përgatitjen e Kornizës së përmbajtjes së testimeve ndërkombëtare në të cilat Shqipëria merr pjesë, përfshirë edhe vlerësimi ndërkombëtar PISA 2025, parapërgatitjet për të cilin kanë filluar sipas një organizimi ndërinstitucional me qëllim përgatitjen paraprake përmes testeve model të institucioneve arsimore sipas kalendarit të përcaktuar për çdo shkollë” – thuhet në përgjigje.

Po ashtu, Ministria rendit disa nisma, përfshi modernizimin e kornizës kurrikulare dhe një program kombëtar trajnimi për mësuesit, në formën e një prezantimi premtimesh. Raporti i PISA për testimin e zhvilluar në vitin 2022 u publikua në fillim të dhjetorit 2023 dhe vuri në dukje se rënia e rezultateve të Shqipërisë krahasimisht me rezulatet e arritura në vitin 2018 ishte “një anomalitet negativ”.

Përtej faktit që Shqipëria renditej ndër vendet e fundit mes 80 vendeve në të cilat bëhet testimi PISA, rezultatet e testimit tregojnë përkeqësim në krahasim me veten. Bazuar në grafikët e raportit, rezultatet e Shqipërisë në matematikë dhe shkencë ranë poshtë atyre të arritura në vitin 2009. Në të dyja degët, nxënësit kanë shënuar pak mbi nivelin e 350 pikëve. Rezultatet në lexim po ashtu nuk ishin të mira.

Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, një organizatë joqeveritare e fokusuar te arsimi i tha BIRN se ata nuk ishin njohur me ndonjë plan të minitrisë sa i përket situatës. Xhemollari tha se edhe nga prezantimi që i bëri Manastirliu planit, ai është i mangët dhe dukej se kishte si qëllim kalimin e fajit te mësuesit dhe te testi në vetvete.

“Qëndrimi ynë ishte dhe është që nuk mund të shkojë faji tek mësuesi,” tha Xhemollari, ndërsa shton se ende nuk ka të dhëna publike mbi investimet reale në shkolla, infrastrukturën e mësimdhënies dhe teknologjinë. Xhemollari thotë se nëse problemi është te mësuesit, ai ka të bëjë me formimin univeristar dhe trajnimet nuk do ishin zgjidhje. Xhemollari shtoi gjithashtu se qasja e Ministrisë së Arsimit për këtë problem “është e mbrapshtë”.

“Në prezantimin publik të masave, ministrja deklaroi se do i përgatisim nxënësit për testin PISA, nuk kishte një qasje për ta parë në thelb problemin. Ne nuk kemi nevojë t’ia hedhim testit, por analfabetizmit funksional” – tha ai.

Testi i PISA është një program i vlerësimit të studentëve ndërkombëtare përmes matjes së njohurive të tyre për leximin, matematikën dhe shkencën si dhe aftësive për të përmbushur sfida të jetës reale. Prej vitit 2009 deri në vitin 2018, Shqipëria njohu vetëm rritje në rezultate për të pasuar më tej me një rënie drastike. /Reporter.al



3 Comments

  1. kjo e ndriti me mjekesine dhe tani do ndrise arsimin ,pak me vone mbase rregullon edhe ekonomine a ku di une …….#zhulse

  2. Ministret e zv ministret qe mbulojne gjasme levizjen per perfshirjen e grave, vetem sa bejne çingijen e kministrit dhe ulin prestigjin e gruas shqipetare. Jane te paafta, te korruptuara, servile dhe negative

  3. Arsimi shqiptar ka degraduar, nga kopshti deri ne universitete. Kjo nuk eshte pune programesh e infrastrukture, por vizioni dhe filozofie. Nqs ketu promovohet paraja para dijes, mbeshtetet biznesi me shume se dija dhe taksohet kapitali me pak se puna, keto do jene pasojat dhe madje do jene afatgjata. Per fat te keq shqiperia e rilindjes po prodhon vetem agronome kanabisi dhe ndertues pallatesh, pasojat do i vuaje ne 50 deri 100 vitet e ardhshme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *