• |
ide | kryesore

VIDEO/ Përfshihet nga zjarri pallati 14-katësh në Valencia

Arkiva, Lajme, Të fundit
valencia



Një ndërtesë e lartë banimi në qytetin spanjoll të Valencia u përfshi nga një zjarr masiv. Zjarri, i cili është ende aktiv ra në një bllok 14-katësh në lagjen Campanar dhe u përhap më pas edhe në një ndërtesë ngjitur. Zjarrfikësit janë parë duke shpëtuar njerëzit nga ballkonet.

Mediat lokale raportojnë se persona të tjerë mund të jenë të bllokuar brenda. Deri tani thuhet se të paktën 13 persona janë plagosur nga të cilët 6 janë zjarrfikës. Më shumë se 20 ekipe zjarrfikësesh po merren me zjarrin dhe njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë larg zonës.

Ndërtesa përmban 138 banesa me 450 banorë, raportoi El Pais duke cituar menaxherin e ndërtesës. Raportet lokale thanë se zjarrfikësit kishin shpëtuar disa banorë duke përdorur vinça, duke përfshirë një çift që jetonte në katin e shtatë. Një burrë që jeton në katin e dytë të ndërtesës tha për kanalin televiziv La Sexta se flakët u përhapën me shpejtësi pasi ra zjarri që thuhet se fillimisht nisi në katin e katërt.

“Zjarri u përhap për 10 minuta”, tha ai, duke shtuar se materiali në fasadën e ndërtesës mund të ketë shkaktuar përhapjen e zjarrit. David Higuera, një inxhinier, tha për El País se veshja e ndërtesës mund të ketë qenë shkaku i përhapjes së shpejtë të zjarrit. Pllakat e aluminit me një izolues prej shkume që përbëjnë shtresën e jashtme të ndërtesës janë “shumë të mira në izolim ndaj nxehtësisë dhe të ftohtit, por shumë të djegshme” tha ai.

Një grua tha për TVE se kishte parë zjarrfikës duke u përpjekur të shpëtonin një djalë adoleshent të bllokuar në katin e parë të ndërtesës. Zjarrfikësit u thirrën rreth orës 17:30 me orën lokale. Një spital fushor është ngritur në zonë. Njerëzit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre do të strehohen në hotele, thanë autoritetet. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *