• |
ide | kryesore

Institucionet shtetërore nuk i zbatojnë detyrimet ligjore për dhënien e informacionit

Lajme, Të fundit



Një sondazh i kryer nga “Monitor” në faqen e internetit dhe në rrjetet sociale tregon se nga eksperienca e pjesëmarrësve, institucionet shtetërore i respektojnë detyrimet ligjore për transparencën dhe dhënien e informacionit për publikun.

Pyetja e shtruar në sondazh për pjesëmarrësit ishte “Nga eksperienca juaj, a i respektojnë institucionet shtetërore detyrimet ligjore për transparencë dhe informim?”. 50% e pjesëmarrësve u përgjigjën se institucionet shqiptare e shpërfillin të drejtën ligjore të publikut për informacion. 42% e pjesëmarrësve u përgjigjën janë selektive në informacionet që japin, ndërsa vetëm 8% e votuesve u shprehën se institucionet janë korrekte në respektimin e detyrimit për informmim.

Në Shqipëri, ligji i parë për të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtare u miratua në vitin 1999, ndërsa në vitin 2014 u miratua ligji që është aktualisht në fuqi, “Për të drejtën e informimit” (ndryshuar për herë të fundit në vitin 2023). Ligji përcakton se çdo institucion duhet të ketë një koordinator për të drejtën e informimit, si pikë kontakti ku publiku duhet të dërgojë kërkesat për informacion dhe të marrë përgjigje për to.

Megjithatë, shumica e qytetarëve dhe profesionistëve që kanë ushtruar të drejtën ligjore për të kërkuar informacion nga institucionet publike e dinë se në shumë raste ky detyrim nuk zbatohet. Nga përvoja e gazetarëve, ndodh shumë shpesh që institucionet të mos u japin asnjë përgjigje kërkesave për informacion, madje pa u shqetësuar as të dërgojnë një përgjigje refuzuese. Në shumë raste të tjera dhënia e informacionit refuzohet, mbështetur në klasifikime arbitrare të informacionit konfidencial ose të klasifikuar.

Garanti ligjor për respektimin e ligjit për të drejtën e informimit është Komisioneri për Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Çdo qytetar apo subjekt që mendon se i është cenuar e drejta ligjore për të marrë informacion nga institucionet ka të drejtë të ankohet pranë këtij institucioni.

Vetëm për vitin e kaluar, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dha 52 vendime në të cilat janë pranuar plotësisht apo pjesërisht ankesat e qytetarëve dhe subjekteve për shkelje të të drejtës së informimit. Komisioneri ka urdhëruar institucionet të japin informacionin e kërkuar, ndërkohë që në disa raste ka ndëshkuar me gjobë personat përgjegjës për dhënien e informacionit ose titullarët e institucioneve.

Megjithatë, është e vështirë të thuhet se në ç’masë vendimet e Komisionerit janë zbatuar më tej nga institucionet. Ligji u jep palëve të drejtën e ankimit të vendimeve në Gykatën Administrative. Por, edhe në rastin kur vendimet nuk ankimohen, Komisioneri nuk ka ndonjë instrument të drejtpërdrejtë detyrues për zbatimin e vendimeve të veta, me përjashtim të vendosjes së gjobave për funksionarët publikë që shkelin detyrimet ligjore për dhënien e informacionit ose refuzojnë të zbatojnë vendimet e Komisionerit. Ligji i rishikuar vitin e kaluar parashikon gjoba deri në vlerën e 300 mijë lekëve, megjithatë në praktikë deri më sot nuk janë aplikuar gjoba më të mëdha se 50 mijë lekë.

Marrë nga Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *