• |
ide | kryesore

Vettingu, prokurori Olgert Rumnici konfirmohet në detyrë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Edmond Hoxhaj

Prokurori i Beratit, Olgert Rumnici u konfirmua në detyrë të enjten më 21 mars, pak orë pasi u përball në seancë dëgjimore me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur nuk u evidenuan probleme domthënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Vendimi për konfirmimin e Rumnicit u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Olgert Rumnici përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe punoi për gati një dekadë si prokuror pranë Prokurorisë së Beratit. Së fundmi ai është komanduar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në krijimin e pasurive të subjektit, konkretisht për një depozitë në shumën 800 mijë lekë në vitin 2015 me burim një pjesë të bursës nga Shkolla e Magjistraturës dhe krijimin e një gjendje cash në shumën 1.4 milion lekë me burim nga pagat.

Lidhur me cashin, Komisioni ka konstatuar se referuar deklarimeve të mëparshme subjekti duhej të kishte pasur rreth 1 milion e 520 mijë lekë gjendje cash dhe është pyetur për këtë diferencë në shumën rreth 120 mijë lekë.

Prokurori Rumnici shpjegoi në seancë se kishte deklaruar gjendjen faktike të cash-it që kishte disponuar. Për diferencën e konstatuar, ai shpjegoi se e kishte shpenzuar pak ditë para se të plotësonte deklaratën “veting” për ceremoninë mortore të babait të ndjerë.

Komisioni ka verifikuar adresat e banimit nga nuk janë gjetur probleme. Ndërkohë, në emër të babait ka rezultuar një kontratë furnizimi me energji elektrike për një objekt në Tiranë. Sipas relatores, Rumnici ka shpjeguar se objekti ka qenë në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe se prindërit e kanë pasur në përdorim për pak kohë, kur ai ishte ende fëmijë.

Sipas Çiftjas, nga hetimi KPK ka rezultuar se aktualisht objekti është në pronësi të dy personave të tjerë që nuk kanë lidhje me familjen e subjektit. Bazuar dhe në faktin se prindërit e kanë përdorur këtë pasuri për një kohë të shkurtër vite më parë, nuk janë gjetur probleme.

Analiza financiare e përgjithshme paraprake ka rezultuar me bilanc pozitiv.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka dorëzuar raport pozitiv për subjektin duke e konsideruar të përshtatshëm. Sipas relatores, KPK ka verifikuar indiciet e disa prej institucioneve ligjzbatuese, por nuk janë gjetur të vërteta.

Në aspektin profesional, Rumnici dha shpjegime për gjetjet në disa çështje të hetuara prej tij. Lidhur me një konstatim për zgjatje të hetimeve për kryerjen e të njëjtave veprime hetimore, subjekti shpjegoi se ishin caktuar tre oficerë të policisë gjyqësore, të ndryshëm, pasi ishin transferuar në rrethe të tjera gjyqësore. Sipas Rumnicit, një akt ekspertimi ishte tërhequr kur ishte caktuar oficeri i tretë dhe hetimi ishte përfunduar për rreth 15 ditë.

Edhe për zgjatjen e hetimeve për 21 muaj për një tjetër çështje, subjekti shpjegoi se ishte transferuar në Shkodër për tre muaj dhe se kur ishte kthyer, i ishin dhënë për të ndjekur hetimet për rreth 230 çështje në të njëjtën ditë. Ai solli në vëmendje të Komisionit se duhej të kryente hetime nga fillimi, ndërkohë që brenda një dite i ishin caktuar për të ndjekur një numër i madh çështjesh.

Në vijim, subjekti dha shpjegime për pushimin një çështje. Sipas tij, konflikti i kallëzuesit me institucionin lidhur me pushimin nga puna dhe shlyerjen e pagave shte një çështje që duhej të zgjidhej administrativisht. Ai pohoi se është legjislatori ai që mund ta parashikojë si vepër penale.

Në përfundim, prokurori Olgert Rumnici kërkoi konfirmimin në detyrë.

Komisioni u tërhoq dhe në orën 15:00 të së enjtes shpalli vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit Rumnici./BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *