• |
ide | kryesore

Mbyllet hetimi/ Kush e nxorri filmimin e sherrit mes Lekës dhe Eljas

Arkiva, Lajme, Të fundit


Prokuroria e kryeqytetit, pasi ka çuar për gjykim dosjen për dhunë në familje ndaj Princ Lekës, Elia Zaharisë dhe babait të saj, ka pushuar çështjen për nxjerrjen e sekretit hetimor.

Bëhet fjalë për hetimet që nisën pas publikimit në rrjet të videos së bujshme, ku Princ Leka dhe Elia Zaharia sulmonin fizikisht njëri-tjetrin.

Në deklarimet publike, Princ Leka ka hedhur dyshimin se kjo video është nxjerrë nga strukturat e policisë, apo nga prokuroria kur ai dorëzoi videon.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije se Prokuroria e Tiranës ka hetuar dhe ka dalë në konkluzionin se kjo video ka dalë nga vetë princ Leka, i cili ishte krijuesi dhe poseduesi i këtij materiali filmik.

Celulari është kërkuar nga prokuroria por ky i fundit nuk e ka dorëzuar, duke deklaruar se e ka thyer nga stresi.

Nga verifikimet ka rezultuar se kjo video i është dërguar mikeshës së tij me të cilën dyshohet se është në lidhje, Blerta Celibashi.

Kjo e fundit pasi ka marrë videon, pamjet i dërguar në kancelari për t’i kaluar në usb. Kur prokuroria i ka kërkuar celularin Blertës, ajo ka deklaruar se e ka futur në lavatriçe.

Është bërë verifikimi në kancelari, por punonjësja që ka asistuar Blertën ka thënë që është fshirë dhe nuk ka pasur mundësi ta shpërndajë.

Në këto kushte janë pushuar hetimet, por Prokuroria bën përgjegjës Princ Lekën sepse pamjet e shpërndara në media janë më të gjata se ato që ka prokuroria.

Mbyllja e hetimeve

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe ka dërguar për gjykim Princ Lekën, ish-bashkëshorten e tij Elia Zaharian dhe babanë e kësaj të fundit Gjergj Zaharia, më 8 qershor.

Princ Leka, ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i kësaj të fundit, Gjergj Zaharia, akuzohen për dhunë në familje. Hetimet nisën pas publikimit të një video dhe kallëzimit në prokurori për dhunë në familje. Më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se çifti, prindër të një vajze të vogël, kanë vendosur të ndahen pasi kanë pasur konflikte të vazhdueshme, mungesë komunikimi dhe se kishin ndërprerë bashkëjetesën. Kështu hidhet poshtë se martesa është zgjidhur për shkak të tradhtisë së Princ Lekës ndaj Elia Zaharias.

Konfliktet e çiftit u bënë publike pas qarkullimit të një videoje, ku Leka, babai i Elias dhe vetë ajo, konfliktoheshin fizikisht mes tyre. Ndërkohë pas këtyre pamjeve, ata përfunduan në Gjykatë, me urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit.
Ndërsa Elia i është rikthyer jetës së saj profesionale dhe ngjitjes në skenë me disa vepra, nga ana tjetër Leka po shijon lidhjen e tij të të dashurisë.

Si nisi sherri i bujshëm dhe dëshmitë e plota:

Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij më 5 mars të këtij viti, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.

Këtë takim të dy e përshkruan të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.

Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.

‘Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës’-pretendon princi.

Dëshmia e plotë e Princ Lekës:

“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.

Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.

Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua.

Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.

Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur.”

Por nga ana e tij, Gjergj Zaharia pretendon të kundërtën duke u shprehur se “ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin e cili është 2 metra i gjatë”. Ai e akuzon Lekën se e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda.

Dëshmia e Gjergj Zaharisë

“Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 e ca kusur vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë”.

Pas këtij episodi të dy janë paraqitur në polici, ku u është bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Pas kësaj, edhe Elia i është drejtuar komisariatit me pretendime për dhunë nga ish-bashkëshorti.
Pas denoncimit për dhunë, të Princ Lekës dhe Elia Zaharias, ka reaguar Policia, cila thotë se të dyja palët pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri dhe janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Çfarë ka ndodhur me çiftin mbretëror?

Princ Leka njoftoi ndarjen më 15 janar, ku tha se kanë nisur dhe procedurat e nevojshme ligjore. Pas tij reagoi edhe Elia Zaharia, dhe mesazhi i përbashkët ishte se mirëqenia e vajzës së tyre do të mbetet në qendër të vëmendjes. Përmes një reagimi zyrtar, Princ Leka u shpreh se ‘martesa e ka humbur funksionin e saj, dhe e kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore’.

“Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur”, reagoi më pas Zaharia.

Ndarja e Princit nga Elia Zaharia bëri bujë të madhe, me dyshimet ku thuhet se çifti ishin prej kohësh në një martesë të krisur. Shkak thuhet se është bërë lidhja e princ Lekës me fotografen e ish-çiftit, Blerta Celibashi. Madje ata janë shfaqur shpesh herë në publik bashkë, por ende nuk e kanë zyrtarizuar marrëdhënien e tyre./Top Channel


2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *