• |
ide | kryesore

Tmerri në Ksamil, si u terrorizua nga maskat studenti i Anglishtes

Lajme, Të fundit

Në katin e dytë të vilës në Ksamil, ku u sulmua studenti 23-vjeçar mund të shihje qartë shenjat e përleshjes. Në dhomën e gjumit kishte njolla gjaku, portofoli bashkë me një kartë identiteti ishin të hedhura përtokë, pasi autorët kishin mundur të merrnin gjithë të hollat.

Skena ka lidhje me grabitjen e dy ditëve më parë kur 23-vjeçari Petro Lula u zu në befasi brenda vilës katër katëshe pranë plazhit “Pema e Thatë”, pronë e familjes së tij, e cila prej shumë vitesh punon e jeton në Greqi.

Gazetarja Shpresa Dine ka mundur të zbardhë për News24 detaje të reja nga ngjarja brenda shtëpisë së 23-vjeçarit. Lula ndodhej i vetëm në banesën 4-katëshe kur tre persona të maskuar hynë nga dera e pasme e vilës.

Studenti i Anglishtes është zgjuar nga gjumi në momentin që ka dëgjuar lëvizje të dyshimta dhe ka nisur të kontrollojë shtëpinë. Mësohet se autorët i ka pikasur në shkallët e katin e dytë të vilës. I zënë në befasi, nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për vetëmbrojtje pasi është rrahur keqas e goditur me hekurin e pistoletës që mbante një prej grabitësve deri në gjakosje.

Më pas, tre autorët e kanë lidhur 23-vjeçarin Lula duke bastisur ç’të mundnin në shtëpi. Kontrolli ka zgjatur disa minuta, e në fund, kur kanë dalë në oborrin e vilës, kanë marrë çelësat e saj si dhe makinën tip “Benz”, me targa AA 322 DP.

I riu nuk ka mundur të bëjë dot asgjë për t’i ndaluar, pasi ka mundur të zgjidhë duart disa orë pasi autorët ishin larguar. Ai ka njoftuar policinë dhe të afërmit, të cilët e kanë transportuar drejt spitalit të Sarandës për t’u mjekuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu