• |
ide | kryesore

Përplasja/ 4 çështjet që ndajnë aktorët e Teatrit Kombëtar me Mirela Kumbaron

Kryesore

Cilitdo politikan shqiptar do t’i dukej naivitet t’i dilte përballë publikisht një prej zërave më të fuqishëm të skenës së Teatrit Kombëtar, siç është Robert Ndrenika. Sulmi i Mirela Kumbaros që i kujtoi aktorit “mëkatet” e së shkuarës, ishte gafë.

Jo më kot, Kumbaro e sheh veten sot në një luftë të hapur me aktorët, që këto ditë po valëvisin flamurin e kryengritësve kundër arrogancës së qeverisë. Shtrirja e konfliktit në disa fronte e ka nxjerrë situatën jashtë kontrollit. Nisi me alarmin për projektligjin për Artin dhe Kulturën, vazhdoi me refuzimin për zhvendosjen tek godina e re e Turbinës, frikën për për ngritjen e kullës mbi teatër, për të kaluar pastaj tek denoncimi i korrupsionit dhe deri tek mallkimet dhe sharjet për “ata”. Dialog nuk ka.

Takimi mes Mirela Kumbaros dhe artistëve

Kunjat dhe ironitë në distancë kanë minuar besimin mes artistëve dhe Ministrisë së Kulturës. Konflikti është në pikën që dy palët kanë lënë takim në të njëjtën ditë, por në vende të ndryshme.

Mirela Kumbaro i pret artistët të mërkurën në ambjentet e Ministrisë së Kulturës. Aty mund të negociohet për pretendimet, me një përfaqësi të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Aktorëve.

Edhe aktorët duan të takohen me ministren, por këta kërkojnë një përballje brenda në sallën e Teatrit Kombëtar, ku të jenë të gjithë bashkë. Në sallën e Teatrit Kombëtar, ku do të ulen 450 veta ka pak gjasa të ketë dialog. Në këtë skenar përplasja është e pashmangshme.

Një takim të ngjashëm ka bërë Edi Rama në vitin 2002 në sallën e teatrit ku kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës u gjend nën sulmin e dhjetëra aktorëve.

Gjasat janë që historia të mos përsëritet dhe takimi mes aktorëve të teatrit dhe Ministres së Kulturës të dështojë.

Plani i Teatrit me Kullë

“Turbina”, godina që aktorët me tallje e kanë pagëzuar si “hidrocentrali”, është e papranueshme për ta. Më shumë sesa kushtet e dy sallave të reja, i shqetëson një skemë, sipas të cilës, braktisja e Teatrit Kombëtar, do t’i hapë rrugë projektit të Teatrit me Kullë. Shembulli është i freskët nga historia e ish stadiumit Qemal Stafa. Paranoja, plotësisht e justifikuar.

Por në letrën, me të cilën iu përgjigj Robert Ndrenikës, Mirela Kumbaro e quajti këtë “një fantazi”.

“Unë mendoj njësoj si ju që Teatri, aty ku është sot, nuk do të prishet dhe do të vijojë të përdoret, deri ditën kur një projekt i ri teatri kombëtar do të fillojë të ndërtohet” shkroi Ministrja e Kulturës.

Në një dalje publike në emisionin Thurje në Digitalb, Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli përsëriti të njëjtën gjë. “Teatri Kombetar, nga 1 bëhet me 3 salla. Nuk ka braktisje ta sallës aktuale” tha Çuli në bisedën në studio, duke hedhur poshtë faktin se aktorët do të zhvendosen plotësisht tek Turbina, për t’u zëvëndësuar nga trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Hapja e dyerve të Turbinës mund të jetë fillimi i planit për shkatërrimin e godinës ekzistuese të Teatrit, për sa kohë nuk ka asnjë konsultim paraprak për planet që ka Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës.

Debati për ligjin

Ndryshimet që propozoi Mirela Kumbaro në ligjin për Artin dhe Kulturën e fuqizojnë dukshëm rolin e ministres. Ajo nuk do të emërojë direkt Drejtorin e Teatrit Kombëtar, por edhe anëtarët e bordit, një strukturë që merr më shumë përgjegjësi në kontrollin e financave. Me një analizë të botuar tek Lapsi.al, regjizori Kastriot Çipi shkroi se në thelb të ndryshimeve ligjore është mendësia totalitare e ministres.

“Shumë gjëra zonja Kumbaro mund të mos i dijë. Por të paktën frengjisht di. Vështirë të besohet se vizioni i saj për administrimin e sistemit të kulturës lidhet me injorancën e saj dhe jo me mendësinë e saj totalitare.
Po ne? Ne që, me hir apo me pahir, jetojmë dhe rrisim fëmijët në këtë vend, a duhet t’i bëhemi qilim sulltaneshës së Kulturës?”

Por ndryshimet ligjore, sipas Ministrisë së Kulturës kanë një qëllim tjetër. Sipas Kumbaros, projektligji i ri krijon lehtësira dhe shmang burokracitë e panevojshme me anë të tenderimit të drejtpërdrejtë. Kjo bëhet edhe në rastet kur aktivitet kulturore organizohen nga institucionet e tjera publike. Por firma e ministres duhet pikërisht për t’i dhënë OK këtyre procedurave të tenderimit të drejtpërdrejtë.

Kumbaro arsyeton se ndryshimet ligjore bëhen “Për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla siç janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike”.

Kush do të jetë drejtori i ri i Teatrit Kombëtar?

Një çështje për të cilën nuk flet askush, por që të gjithë e dinë se qëndron aty poshtë, nën rrogoz, është emri i Drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar. Mandati i Hervin Çulit ka përfunduar. Ai qëndron në detyrë, në pritje të mandatit të dytë. Mbetet i preferuari i Rilindjes, por në prapaskenë.

Deri tani “kryengritja” ka vetëm një rezultat dhe ato janë kandidatët për të marrë drejtimin e Teatrit Kombëtar. Nga Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Aktorëve janë kandidaturat e “socialistit” Genc Fuga dhe aktorit Laert Vasili, ndërsa nga grupi i pedagogëve të Akademisë së Arteve është propozuar Ema Andrea.©Përgatiti për Lapsi.al, Dorian Kodra

3 Comments

  1. Artistet, u thencin, jane te politizuar! Veprojne me urdher te Sales! Ata u kompromentuan duke u bere antare dhe deputete te Sales! Keshtu eshte kur arti implikohet me politiken! Ky eshte berishizem! Sala kompromentoi te gjithe ata njerez me karakter te vogel! Arsyeja e vetme qe keta artiste nuk duan te shkojne ne periferi eshte se jane mesuar te shellohen ne qender ne Tiranes sepse Sala ju ka dosjet e sigurimit! Serbi me UDB jane mjeshtra!! Po te ishte Sala K/minister do t’i ngrinte ne dru!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu