• |
ide | kryesore

Lufta e PS me armikun imagjinar

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Nga selia e Partisë Socialiste ka dalë një tjetër deklaratë me mllef, gjuhë të ulët dhe kërcënime, drejtuar një vendimi të Gjykatës Administrative, që nuk e zgjidhi në favor të saj çështjen e garës së parakohshme elektorale në Dibër. Po të shikohet me kujdes, deklarata është për të ardhur keq. Aty përdoren terma si “gjykim i mjerë” dhe tundet kërbaçi i vetingut, duke evokuar kohërat më të zymta kur Sali Berisha i vërsulej me të njëjtat mjete organeve të drejtësisë që nuk i shkonin për shtat (lexo deklaratën poshtë Lapsi.al).

Po pyetja është përse socialistët ranë kaq shpejt në sindromat e berishizmit? Pse ata po i vërsulen në mënyrë kaq të dhunshme gjyqësorit? Pse ata gjithnjë e më shumë po konfrontohen me çdo pushtet që nuk u shërben atyre?

Këto pyetje bëhen edhe më të forta kur rastet e dhunës verbale dhe politike po shtohen.

Erion Veliaj, bashkia e Tiranës dhe një pjesë e mirë e deputetëve ndërtues të kryeqytetit, pavarësisht se në thelb për një çështje të drejtë, shkaktuan një skandal me demonstrimet përpara gjykatës.

Sajmir Tahiri dhe Edi Rama kaluan çdo kufi të imagjinueshëm kur iu vërsulën me gojën e tyre dhe me gjithë korin e mediave që i ushqejnë, një gjykatësi që mori vendim për aferën skadaloze të përgjimeve.

Tani sërish e njëjta histori dhe e njëjta gjuhë.

Dhe pyetja që të vjen dhe rivjen në mend është: Përse???

Një version i kësaj lufte të paparë me gjykatësit mund të shpjegohet me humbjen e qetësisë dhe pasigurinë e pushtetit. Historia e afërt na ka treguar se sa herë e sheh veten të kapur në krim, sa herë e ndjen se po i rrëshket toka nën këmbë, sa herë e nuhat që mjedisi po bëhet armiqësor, një qeverisje mëton ta mbysë tutjen e saj me arrogancë, mungesën e argumentave me dhunë, arsyen me kërcënime.

Ndoshta ky është rasti i nervozizmit që po tregon shumica socialiste me gjyqësorin.

Sepse kjo betejë është irracionale dhe e pavend. Kur parlamenti sapo ka miratuar reformën në drejtësi, kur parashihet të bëhet një qilizëm i thellë në të gjitha nivelet e gjykatave të vendit, retorika politike nuk ka kuptim.

Por, frika më e madhe është se kjo retorikë po fillon të shpeshtohet pikërisht për qëllime elektorale dhe politike. Dhe ky është gjithashtu një tjetër version i mundshëm i humbjes së arsyes në betejën me gjyqësorin.

Nga njëra anë Edi Rama dhe PS e dinë se po e mbyllin mandatin me një bilanc katastrofal. Ata janë të ndërgjegjshëm se kanë dështuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, në zvogëlimin e papunësisë, në shtimin e investimeve, në sjelljen e kompanive të mëdha në vend.

Ata e dinë gjithashtu se përpos keqqeverisjes janë grryer nga skandalet e vjedhjeve galopante përmes tenderave dhe koncesioneve, janë telendisur nga krimi që po godet përditë, janë qesharakëzuar nga Meta që po i bën lolo në sytë e gjithë shqiptarëve.

Ata i dinë të gjitha këto dhe prandaj po shpikin një armik imagjinar. Gjykatësit që po punojnë për llogari të PD-së dhe kundër tyre.

Në fakt, si armike, trupa e gjykatësve nuk është zgjedhur keq. Për çerekshekulli me radhë ata nuk kanë bërë drejtësi në këtë vend. Perceptimi popullor është se sot ka më shumë vrasës të lirë, më shumë prona të vjedhura, më shumë pasuri të grabitura për shkak të një gjyqësori të korruptuar.

Dhe nuk është çudi që strategët e Ramës ta kenë yshtur atë në drejtim të kësaj beteje të shpikur. Të kenë caktuar armikun imagjinar për t'u mundur.

Kështu pas një viti, Rama do të dali në fushatë jo duke u krenuar se u dha shqiptarëve më shumë punë, mirëqenie dhe siguri, por duke u treguar reformën në drejtësi, si gijotinën që do të presë kokat e armiqve në gjyqësor.

Ndoshta me këtë llogari perverse duhet shpjeguar beteja e çartur dhe e pavlerë me gjykatat: si një llogari e ulët elektorale dhe jo si një betejë reale lidhur me datën e zgjedhjeve në Dibër. /Lapsi.al/