• |
ide | kryesore

(VIDEO) Refuzimi për të shtrënguar duart, dhe kundërshtitë mes Trump dhe Merkel

Arkiva, Planet
angela_1489771471-5445334.jpg



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka refuzuar t’i zgjasë dorën kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë takimit të sotëm në Shtëpinë e Bardhë.

Në momentin që kancelarja gjermane mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe Merkel i shtrënguan duart, por në takimin para mediave Presidenti i SHBA-ve refuzoi ta përsërisë këtë veprim.

Merkel dëgjohet t’i thotë Trump-it: “A dëshiron t’i zgjasim duart?”, por Presidenti vazhdon të qëndrojë me duart e tij të lidhura, pa iu përgjigjur kancelares gjermane.

Angela Merkel e ka kritikuar Trump gjatë fushatës së tij për President për shumë prej deklaratave të tij kontroverse. Nëse Trump dhe Merkel ndahen në një pikë më shumë se gjithshka, është politika e ndryshme që ata kanë për emigrantët në vendet e tyre.

Kancelarja ka ndjekur një politikë të njohur ndryshe si politika e “kufinjve të hapur”, duke mirëpritur emigrantë e refugjatë, më shumë se çdo shtet tjetër. Merkel madje ka arritur deri në pikën që, edhe pse me rënie drastike në sondazhet për pëlqyeshmërinë dhe për zgjedhjet për kancelar, ajo i ka bërë thirrje gjermanëve të mirëpresin ata që kanë nevojë.

Komplet e kundërta ka ndodhur me Donald Trump. Gjatë fushatës, miliarderi mbajti një qëndrim tejet të ashpër rreth hyrjes së emigrantëve në vend, duke premtuar ndërtimin e një muri ndarës me Meksikën apo edhe ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA. Trump u kritikua shumë ashpër dhe në masë për këto deklarata, madje dhe brenda rradhëve të partisë së tij, por nuk u tërhoq.

Që të dy, si Trump dhe Merkel po i qëndrojnë besnikë mendimeve dhe vendimeve të tyre, të paktën deri tani, duke u treguar të palëkundur si liderë, dhe të fortë sikurse superfuqitë që ata drejtojnë.

Pasi gjithshka mbaroi dhe Trump u zgjodh President i SHBA-ve, Merkel duket se i ka lënë pas papajtueshmëritë me “filozofitë” e Trump, por Presidentit duket se akoma nuk i ka dalë “inati” me kancelaren gjermane, sikurse e tregon edhe video më poshtë ku Trump nuk i jep dorën Merkelit.   

Të dy palët u takuan sot për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë që nga Janari kur Trump u inaugurua President i SHBA-së. /LAPSI.AL/