• |
ide | kryesore

Gjithçka që duhet të dini rreth përplasjes së Trump me drejtorin e FBI

Arkiva, Planet
trcm.JPG



Presidenti amerikan Donald Trump shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey muajin e kaluar, një veprim ky që hodhi dyshime se presidenti po pengonte drejtësinë. Kjo pasi ai hoqi njeriun që ishte përgjegjës për hetimin e FBI-së për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet e vitit 2016, dhe nëse vartësit e Trump bashkëpunuan me Moskën për të fituar zgjedhjet.  

Dëshmia e Comeyt në Senat kundër Trump, e ka vënë atë në qendër të një furtune akuzash nga vetë Trump dhe aleatët e tij. Për rrjedhojë, si Trump, edhe Comey po testohen për kredibilitetin e tyre në sytë e amerikanëve.

Comey tha se Trump u përpoq të ndalonte një pjesë të hetimit të FBI-së, pjesën që lidhej me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn (kujtojmë se Flynn u akuzua për lidhje direkte me Rusinë në kohën e fushatës elektorale në SHBA). Ish-drejtori i FBI-së rrëfeu se Trump i tha atij: “Unë shpresoj se ju mund të gjeni një mënyrë për t’a lënë këtë çështje, për të mos vazhduar hetimin ndaj Flynn.”

Comey dëshmoi se Trump e shtyu atë të pengojë hetimin e FBI-së për rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe lidhjet e tij me fushatën e Trump. “Unë u pushova me qëllim ndryshimin e mënyrës si po zhvillohet hetimi për Rusinë.” – tha Comey. “Ky është një problem i madh, dhe këtë nuk e them sepse përfshihem unë”. 

 (Ish-drejtori i FBI-së i shkarkuar nga Trump, James Comey duke u betuar para se të japë dëshminë e tij para Senatit)

Që nga largimi i Comeyt, ish-drejtori i FBI-së Rober Mueller, u emërua këshilltar special në Departamentin e Drejtësisë, të ngritur për ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane, në favor të Trump.

Në dëshminë që dha në Senat, Comey vuri theksin edhe tek përpjekjet e Trump për të “shpifur” ndaj tij. Ai tha se Trump dhe administrata e tij kishin përhapur “gënjeshtra” për të.

Trump nuk iu përgjigj menjëherë Comeyt në rrjetin social Twitter, që sikurse dihet është mënyra e preferuar e tij për të komunikuar. Ishte djali i Trump, Donald Trump Jr., që u vendos në mbrojtje të presidentit, duke postuar rreth 30 herë në Twitter-in e tij, ditën që Comey dëshmonte në Senat. Ai shkruajti se fjalët e babait të tij, që shpresonte që hetimi ndaj Michael Flynn të pushonte, nuk ishte një urdhër i prerë, përkundrazi thjesht një dëshirë. Djali i Donald Trump shkruajti: “Duke qenë se e njoh babain tim prej 39 vitesh, e di se kur babai im të urdhëron, ose thjesht të shpreh diçka. Të jeni të sigurt se Donald Trump nuk të le vënd për interpretim.” – deklaroi djali i tij.

Në këtë vorbull akuzash u përfshi dhe avokati i fuqishëm privat i Trump, Marc Kasowitz. Ai deklaroi se “Presidenti ndjehet plotësisht në rregull”. Kasowitz iu referua deklaratës së James Comeyt, se ky i fundit kishte siguruar Donald Trump-in se nuk ishte personalisht nën hetim. Kasowtiz akuzoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comeyn se iu dha mediave informacione në mënyrë të paligjshme në lidhje me marrëdhënien e tij me Trump. 

                          (Donald Trump dhe avokati i tij privat, Mark Kasowitz) 

Edhe pse presidenti nuk u përfshi drejtpërdrejtë në këtë situatë, kjo ishte një përgjigje klasike e Donald Trump, godit fort dhe shpejt me të gjitha mënyrat. Kështu, Trump u përpoq të devijonte rrjedhën e kësaj çështje problematike. Ai u përpoq të hutojë kundërshtarët e tij (në këtë rast James Comeyn), me mënyrat që njeh më mirë. 

Sikur dëshironte mbështetjen nga udhëheqësit fetarë konservatorë, Donald Trump u tha atyre në Uashington se “Ne jemi nën rrethim. Ju e kuptoni këtë. Interesat e thella dhe dështakët e hidhëruar në Uashington do të bëjnë gjithçka që kanë mundësi për të na ndalur në këtë kauzë të drejtë”. Trump tha se i ka mbrojtur fetarët konservatorë dhe do vazhdojë ta bëjë këtë, sikurse do të vazhdojë të luftojë abortin dhe do përpiqet t’i japë kishave më shumë opsione për t’u përfshirë në politikë. Trump gjithashtu tha, “Ne dimë si të luftojmë më mirë se kushdo, dhe ne kurrë nuk heqim dorë. Ne jemi fitues! Ne do të luftojmë!”.

Geoff Garin, që merret me sondazhet e demokratëve, tha: “Shumë njerëz po i kushtojnë vëmendje kësaj çështje, që ngre shumë pyetje nëse Trump abuzoi me fuqinë e tij për të penguar një hetim të FBI-së. Ndërkohë, amerikanët janë kategorikisht kundër keqpërdorimit të pushtetit nga një president. Sidomos kur mund të përfshijë mbulimin e një krimi të mundshëm.” Geoff Garin, që ka punuar për Hillary Clinton në garën e saj presidenciale edhe në vitin 2008, edhe në 2016-tën, shton: “Në fund, fati i Donald Trump do të përcaktohet nga Departamenti i Drejtësisë që u ngrit për çështjen ‘Ruse”, dhe nga vota e amerikanëve në zgjedhjet e ardhshme.”

US News, përshtati LAPSI.AL