• |
ide | kryesore

Tradhti, vrasje dhe komplote; rrëfimi i Lady Dianës për sekretet mbretërore!

Arkiva, Planet
diana-3-1.jpg



Dokumentari i transmetua në “Channel 4”, “Diana: In her Own Words” (Diana me fjalët e saj), ka pasur një record shikueshmërie dhe shumë polemika.

Por “Mail on Sunday” ka kërkuar të hulumtojë edhe më tej, duke shkuar të intervistojë priftin Frank Kelli, që ka rrëfyer se si Diana e kishte pyetur, pak ditë para vdekjes nëse do të mund të martohej me Dodi Al Fayed, që i përkiste fesë myslimane dhe që vdiq bashkë me të në aksidentin e Pont de l’Alma.

Diana, vajza rebele

Nuk ka qenë asnjëherë e mirëpritur në Buckingham Palace. Diana e nis rrëfimin nga fëmijëria e vështirë, të cilën e ka përjetuar si një rebele e vogël para se të arrinte tek takimi me princin Charles dhe deri te jeta mbretërore. “Prindërit e mi nuk më kanë thënë kurrë se më donin, maksimumi ndonjë puthje në faqe”, tregon ajo. Drama më e madhe, arratisja e së ëmës me një burrë tjetër dhe martesa e të atit me të urryerën Raine McQuorcodale, vajzën e shkrimtares së romaneve Barbara Cartland. “Në atë kohë isha e vogël dhe ‘me duar të lidhura’, isha shumë e zemëruar dhe, me sa kujtoj i dhashë një shuplakë tim eti, duke i thënë: ‘Kjo është nga ana e të gjithëve ne, që na ke fyer’”. Ndërsa njerkën, me sa i rrëfen Settelen-it, e kishte bërë që të rrëzohet nga shkallët (por që kjo pjesë është censuruar nga ‘Channel 4’), shprehet se :“Do të ia kisha marrë frymën. Shkaktonte një dhimbje të madhe. I kam thënë çdo gjë ballë për ballë: ‘të kemi urryer gjithmonë, për atë që ke shkatërruar familjen tonë’”.

Raporti intim me Charles

Pjesët më pikante të deklaratave të Dianës, janë ato rreth raporteve me princin Charles. Që prej rrëfimit të takimit të parë, ku ajo shprehet se nuk mbeti aspak e befasuar prej tij (“nuk më shqitej, më rrinte ngjitur si një njollë e keqe në lëkurë), deri tek martesa të cilën e konsideron, si “dita më e keqe e jetës sime”, si dhe me vazhdimin e saj, si një histori pa dashuri. Aq më pak në shtrat “Charles kryente marrëdhënie një herë në tre javë, jam e bindur se ndiqte një skemë. Një zakon: nuk kishte asnjëherë nevojë në këtë kuptim, nga ana e atij”.

Camilla, qëndro larg prej nesh!

Çdo tre javë, faktikisht një frekuencë e njëjtë vizitash tek Camilla Shand. Bëhet fjalë pikërisht për ish- dashnoren e Charles, sot partneren e tij, për të cilën Lady D rrëfen se i druhej, por edhe që është përballur me vendosmëri me të. Midis gjysmë gënjeshtrash dhe të vërtetash, mamaja e William e Harry tregon: “E pyeta tim shoq se përse ajo grua qëndronte përherë pranë tij dhe ai m’u përgjigj se nuk kishte ndërmend të kujtohej në histori si i vemi princ i Galles pa dashnore”. Dhe atëherë i thashë asaj: “E di se çfarë ka midis jush. Doja vetëm që ta dije. Dua tim shoq, Më vjen keq, më keni nëpër këmbë dhe për ju të dy jeta do jetë një ferr. Por e di atë që ndodh. Mos më trajto si një idiote. I kërkova ndihmë mbretëreshës Elizabeth, por në këmbim mora vetëm indiferencën e saj”. “Shkova tek Top Lady e irrituar dhe e pyeta se ç’mund të bëja. Dhe ajo m’u përgjigj: ‘Nuk e di, Charles është i pashpresë’”.

Historia me truprojën

Nga lidhjet jashtëmartesore, nuk mund të përjashtohet as princesha e popullit. Edhe pse në filmime, ndryshe nga sa mendohej nuk flitej për Dodi Al Fayed, partnerin e saj pas divorcit mbretëror deri në vdekjen e të dyve, por për një dashnor që e kishte pasur më herët, truprojën Barry Mannakee, në atë epokë (ishte viti 1985) ai ishte i martuar dhe me dy fëmijë. “Shëtisja gjithmonë me shpresën se do ta takoja. Ndihesha e lumtur vetëm kur rrija me të. Ëndërroja të hiqja dorë nga çdo gjë vetëm që të jetoja me të. Nuk duhet të kisha luajtur kurrë me zjarrin, mirëpo e bëra diçka të tillë. Dhe u dogja”. Vdekja e Mannakee, edhe ai viktimë e një aksidenti rrugor, do të trondiste Lady D. “Ishte goditja më e rëndë në jetën time. Charles mendonte se i dinte të gjitha, por nuk pati kurrë prova”. Prova që tani zbulohen në një transmetim televiziv.

“Diana me fjalët e saj”

Dokumentari “Diana: In her Own Words” (Diana me fjalët e saj) është transmetuar rreth dy javë pas dokumentarit të përgatitur nga William e Harry për të ëmën Lady Diana. Të cilët nuk kishin folur asnjëherë më parë kaq haptazi, si në dokumentarin “Diana, Our Mother: Her Life and Legacy”, të transmetuar nga HBO: dhimbja, përqafimet, të qeshurat dhe si do të ishte ajo si gjyshe.

Për të përkujtuar 20-vjetorin e vdekjes së Lady Dianës, dy fëmijët e saj janë rrëfyer për të parën dhe të fundit herë publikisht (“nuk kemi folur më parë me rreth saj kështu me zemër të hapur, dhe nuk kemi ndër mend ta bëjmë në të ardhmen”, është shprehur William), në një dokumentar të titulluar “Diana, Our Mother: Her Life and Legacy”.

Dokumentari që zgjat pak më shumë se një orë fillon me dy vëllezërit, që shfletojnë dhe komentojnë albumet e vjetër të familjes; përveç tyre vërehen edhe miq të familjes për të ndërtuar një portret të ngrohtë dhe personal, duke dashur të shmangen polemikat dhe tonet skandaloze, që shoqërojnë pothuajse gjithmonë historitë rreth Lady Diana-s (1 korrik 1961-31 gusht 1997). Është prodhuar nga Nicolas Kent dhe është xhiruar nga Ashley Gething, të cilët kanë qenë edhe autor të dokumentarit “Our Queen at 90”.

Telefonata e fundit

Është një nga momentet më prekëse të dokumentarit ku William dhe Harry rrëfejnë telefonatën e fundit me mamanë e tyre: kishin javë pa e parë, ajo ishte në Paris e ata në Skoci dhe po nxitonin për të luajtur me kushërinjtë.

Harry: “Nuk më kujtohet mirë se çfarë i thashë saktësisht, por ajo që njoh mirë është pendesa që do të më shoqërojë gjatë gjithë jetës për shkak se telefonata zgjati aq pak. Fakti që nuk e dija se ajo do të ishte hera e fundit që do të flisja me mamanë time, dhe se sa ndryshe do të kishte shkuar nëse do të kisha edhe idenë më të vogël se ajo do të humbiste jetën pikërisht atë natë”.

William: “Sikur ta dija se çfarë po ndodhte nuk do të isha treguar aq sipërfaqësor. Ajo telefonatë është ende e gozhduar në mendjen time”.