• |
ide | kryesore

Si i ekzekutoi kushëriri burrë e grua në Gjirokastër për një barakë të vogël

Arkiva, Të fundit



Konflikti për pronën me djalin e xhaxhait i ka marrë jetën një çifti bashkëshortësh në Gjirokastër, shkruan “Panorama” duke zbardhur detajet e asaj qe ndodhi brenda baneses ne ‘Sokakun e te Marreve’.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm ku viktima mbetën Aleko Kosta 64 vjeç, i cili njihej si instrumentist saksofoni dhe Afërdita Gjokoli Kosta, 50 vjeçe, me profesion mësuese.

Autori i krimit të rëndë është djali i xhaxhait të viktimës, 70- vjeçari Apostol Kosta. Pas krimit, autori mbeti i plagosur pas tentativës për vetëvrasje.

Rreth orës 07:10, në banesën e Aleko Kostës ka hyrë pa paralajmërim 70- vjeçari Apostol Kosta. Burimet nga grupi hetimor kanë skicuar ngjarjen në bazë të dëshmive dhe provave në terren, duke hartuar të gjithë materialin që do t’i dërgohet organit të akuzës.

Rezulton se ai është futur nga porta kryesore dhe ka hedhur brenda shtëpisë një granatë defensive. Pasi hodhi granatën, u largua me shpejtësi për të shpëtuar veten, por kanë kaluar disa minuta dhe granata nuk ka shpërthyer për shkak se detonatori ishte i lagur.

Gjendur në këto kushte, Apostol Kosta ka marrë një armë automatike që e mbante në shtëpi dhe ka shkuar sërish në banesën e djalit të xhaxhait të tij.

Sipas fqinjëve, Apostoli është dëgjuar teksa bërtiste duke shkuar drejt banesës së viktimave, “tani do t’jua ndreq unë qejfin, nuk do ta gëzoni jo, po ja tani po jua ndreq unë”.

Ai është futur furishëm në dhomën e çiftit dhe është dëgjuar teksa i bërtiste kushëririt të tij: “Urdhëro, dhe gëzoje tani pronën”. Më tej ka hapur zjarr duke i lënë burrë e grua të vdekur në vend.

Aleko Kosta ka marrë 12 plumba, pjesën më të madhe në kokë, ndërsa gruaja e tij Afërdita ka marrë 10 plumba në trup, kryesisht në pjesën e kraharorit dhe poshtë te këmbët. Ai ka ruajtur fishekët e fundit dhe është nisur me vrap drejt banesës së tij. Fatmirësisht plumbave u ka shpëtuar djali 20-vjeçar i Afërditës (nga martesa e saj e parë), i cili në momentin e krimit ka qenë duke fjetur në dhomë tjetër.

 

Banorë të lagjes “Palorto” ku ndodhi krimi thanë se e gjithë ngjarja mund të ketë ndodhur në harkun e 3 minutave. Sipas tyre, ndonëse kushërinj të parë, Apostoli dhe Aleko ishin në konflikt me njëri-tjetrin për shkak të një muri ndarës. Palët nuk kanë arritur të gjejnë dakordësi mes tyre, ndaj çështja i ka kaluar për kompetencë zgjidhjeje Gjykatës së Shkallës së Parë, më tej në Gjykatën e Apelit. Vendimi i formës së prerë është dhënë më datë 3 tetor 2017, ku paditës ka qenë viktima Aleko Kosta dhe i paditur Apostol Kosta.

Në vendimin e cituar nga gjykata thuhet se: “Për sa dhe si u arsyetua më sipër, Gjykata e Apelit Gjirokastër çmon se nuk ekzistojnë shkaqe që e bëjnë të cenueshëm vendimin objekt ankimimi, duke saktësuar në raport me urdhërimin e përcaktuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, vetëm madhësinë e sipërfaqes së truallit që i padituri duhet t’i lirojë dhe dorëzojë paditësit”.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *