• |
ide | kryesore

Trenat luksozë/ 6 udhëtimet më fantastike në botë

F1, Planet



“Në rastin tim, nuk udhëtoj për të shkuar në ndonjë vend, por për të udhëtuar. Udhëtoj për kënaqësinë e udhëtimit, për të lëvizuar,” – shkruante romancieri Robert Louis Stevenson, autori i “Ishullit të thesarit” dhe “Rasti i çuditshëm i doktor Jekyll dhe zotit Hyde”. Rruga është më e rëndësishme se mbërritja. Treni është një nga mjetet më të mira të transportit në botë. I shpejtë dhe një hotel mbi binarë. Ofrojnë disa nga panoramat më spektakolare të botës. Cilat janë itineraret më ekskluzive dhe më të sofistikuara të planetit që ofrojnë dozën perfekte të aventurës dhe ekstravagancës?

Venecia Simplon-Orient-Ekspres, Angli, Francë dhe Itali.

Magjepsja e viteve 20 mbetet e gjallë në këtë tren spektakolar. Venice Simplon-Orient-Express na provon se udhëtimi mbi hekurudhë mund të kthehet në një përvojë me 5 yje. Vagonët janë origjinalë, të dekadës 1920 dhe 1930 dhe u restauruan për të na sjellë atë epokë. Sot ofrojnë një pamje të udhëtimeve më të sofistikuara të planetit. Treni përshkruan disa nga qytetet më të rëndësishme të Europës dhe ofron ture në pallate mbretërore dhe në dyqane mode nga më të rëndësishmet.

Ky udhëtim lidh Londrën me Venecian. Ka të përfshirë një natë në Bordo dhe përshkruan një udhë nga më të bukurat e peisazhit të Francës. Ky udhëtim mund të bëhet edhe më i shkurtër, po të nisesh nga Londra ose nga Venecia me destinacion Parisin. Për pjesën tjetër të vitit realizohen udhëtime në qytete si Budapesti, Stambolli, Praga, Viena dhe Stokolmi.

Belmond Grand Hibernian, Irlanda

Kjo linjë u inagurua në shtator të 2016. Belmond Grand Hibernian është nga më të rinjtë e tureve të trenave përmes Europës dhe një nga më luksozët. Udhëtimi zgjat një javë dhe përshkruan disa nga destinacionet më të njohura e më të rëndësishme të Irlandës si Dublinin, Cork-un, Galway-in dhe Belfastin. Të lejon të njohësh disa nga atraksionet më popullore të këtij vendi si shkëmbinjtë e Moherit dhe kështjellën e Blarney-it.

Renfe Transcantábrico Gran Lujo, Spanjë

Spanja ofron përvoja të jashtëzakonshme përtej destinacioneve të njohura si Barcelona ose Madridi. Transcantábrico Gran Lujo është një mundësi unike për ata që duan të njohin disa nga mrekullitë. Pika e nisjes është nga San Sebastián dhe shkohet drejt Santiago de Compostela, një rajon në veri të këtij vendi europian. Udhëtimi zgjat 8 ditë dhe ofron pamje të gjirit të Vizcaya-s, malet e Cantabria-s, muzeun e Guggenheim-it e Bilbaos, parkun kombëtar të Picos dhe të katedrales së Santiagos së Compostela-s.

Gjithashtu në bord shijohen shërbime premium, aktivitete ekskluzive që e bëjnë këtë përvojë një kënaqësi origjinale. Shijohen ushqimet tradicionale të Galicias, Asturias, Cantabrias dhe të vendeve baske.

Belmond Royal Scotsman, Skoci

Belmond Royal Scotsman është një nga trenat më të shtrenjtë në botë, por të gjithë ata që kanë përjetuar një përvojë në këtë tren thonë se ia vlen barra qeranë. Udhëtimi vajtje-ardhje zgjat 4 ditë gjithsej, nis që nga Edinburgu përgjatë bregut deri në Aberdeen dhe përshkruan malet e Skocisë, kështjella, liqene magjepsëse dhe fshatra piktoreske të dala nga përrallat. Shijohet whisky puro si dhe gatime grastronomike luksi.

Glacier Express, Zvicër

Glacier Express është treni ekspres më i ngadaltë në botë, por çdo minutë në bord të këtij treni ia vlen. Udhëtimi zgjat 8 orë dhe përshkruan 290 km. Niset që nga St. Moritz dhe mbërrin në Zermatt. Përshkruan alpet zviceriane dhe kalon mbi 300 ura e ofron disa nga panoramat më të bukura dhe më marramendëse. Një udhëtim për aventurierët.

Transiberiani, Rusi

Transiberiani është treni më i famshëm në botë. U inagurua në 1904 dhe ka një gjatësi 9288 km dhe lidh Moskën me Vladivostok-un, një qytet portual i vendosur në lindjen e largët të Rusisë. Përshkruan 8 fasha orare dhe duhet 7 ditë për të mbërritur në destinacion. Ka edhe degë të tjera si Transmançuriani dhe Transmongoliani. Ka shërbime wifi, vagonë restorante, vagonë bare, klase të ndryshme, ekonomike dhe luksi për ata që paguajnë. / Përgatiti: Bota.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *