• |
ide | kryesore

Zgjedhjet presidenciale në Rusi, Putin armiku më i madh i Putin

Planet



Nga Oksana Antonenko

Ka dy gjëra të sigurta në zgjedhjet presidenciale të Rusisë. E para, që Vladimir Putin do të dalë fitues, me të gjitha sondazhet e rëndësishme që i japin rreth 70 për qind të votave. E dyta, se votimi – si të gjitha zgjedhjet e mëparshme në historinë post-sovjetike të vendit – nuk do të jetë i lirë dhe i drejtë. Por ora po ecën kundër presidenti rus: Opozita në rritje dhe zhgënjimi midis votuesve rusë ndoshta nuk mund të fundosin këto zgjedhje, por do të trondisin ato të ardhshmet.

Konkurrenca e vërtetë politike para votimit të këtij viti mbetet rreptësishtë e kufizuar. Mediat e kontrolluara nga Kremlini kanë një ndikim dërrmues mbi mendësinë e elektoratit rus. Ndalimi qeveritar i regjistrimit të kundërshtarit politik më të efektshëm dhe të shquar të Putinit, Aleksei Navalny, dhe përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore për të mobilizuar votën pro Putin, gjithashtu tregojnë faktin se zgjedhjet e Rusisë janë të kufizuara.

Por zgjedhjet nuk duhet të anashkalohen si të parëndësishme ndaj trajektores së Rusisë. Dinamika përpara këtij votimi nxjerr në pah natyrën në ndryshim të rendit të Rusisë dhe mund, me kalimin e kohës, ta transformojë edhe politikën e saj.

Ekziston një kërkesë në rritje për ndryshim midis të gjithë sektorëve të shoqërisë ruse, veçanërisht në mesin e të rinjve të vendit, të cilët gjithnjë e më shumë po organizohen në mediat sociale. Mediat e Rusisë kontrollohen fort nga shteti, por interneti i saj mbetet relativisht i lirë, krahasuar me regjimet e tjera jo-liberale si Kina dhe Turqia.

Media lulëzuese sociale në gjuhën ruse ka krijuar një shoqëri të re “horizontale”, e cila është e pranishme në linjat tradicionale kulturore dhe klasore, por është e bllokuar në një sistem politik shumë të centralizuar “vertikal”. Aktivistët e rinj po marrin pjesë gjithashtu në një numër në rritje në protesta të paautorizuara anembanë vendit, të mobilizuar kryesisht nga fushata e publikuar e anti-korrupsionit e Navalny.

Kremlini do të ketë një vështirësi më të madhe për ta shtypur këtë rizgjim të rinisë ruse sesa kur ndërpreu protestat urbane në 2011-2012. Këta të rinj nuk kanë frikë dhe mbajnë një mosbesim të thellë ndaj elitës politike që ka qenë në pushtet qysh para se të lindnin.

Tre vitet e recesionit, rënia e të ardhurave reale dhe korrupsioni i shfrenuar nënkuptojnë se shumë prej këtyre të rinjve – të cilët shohin mundësitë jashtë Rusisë përmes internetit – ndihen të bllokuar në komunitetet e tyre me pak mundësi për të realizuar potencialin e tyre. Historitë po shumëfishohen me nxënës në të gjithë Rusinë, duke i kundërvënë presionit nga shkollat ​​e tyre, familjeve dhe madje edhe shërbimeve lokale të sigurisë, dhe duke sfiduar propagandën zyrtare dhe duke mbrojtur të drejtën e tyre për të protestuar.

Ankesat e tyre mund të mos jenë ndryshe nga ato të të rinjve perëndimorë që mbështetën Bernie Sanders në SHBA ose Jeremy Corbyn në M.B. – por atyre i mungojnë kanalet dhe proceset politike përmes të cilave do t’i shprehin ato.

Ky brez i ri është ende shumë i ri dhe i pafuqishëm për të formësuar politikën ruse në vitin 2018. Por ata do të rriten në një forcë serioze nga zgjedhjet e vitit 2024. Kremlini është i vetëdijshëm se ka një problem të vërtetë “rinor”. Por nuk ka fuqi për të bindur ata që thjesht mohojnë se një lider i vetëm politik ka dominuar jetën e tyre që nga fillimi. Pothuajse një e katërta e të diplomuarve të rinj rusë po kërkojnë mundësi për punë jashtë vendit.

Të rinjtë e Rusisë nuk janë të vetmit që kundërshtojnë status quo-në. Segmente të mëdha të klasës së mesme po rriten gjithnjë e më shumë të zhgënjyer.

Në vitin 2010, më shumë se 60 për qind e rusëve në top treshen më të lartë të të ardhurave deklaruan se ishin të kënaqur me standardin e tyre të jetesës. Në vitin 2016, vetëm 20 për qind në këtë grup deklaruan të njëjtën gjë. Kjo është rënia më e thellë mbi kënaqësinë ndaj jetesës në mesin e popullatës më produktive dhe të arsimuar të çdo vendi postkomunist. Dhe pikëpamja e tyre pesimiste është përmirësuar fare pak që nga viti 2017, kur ekonomia ruse më në fund u kthye në rritje.

Sipas vlerësimeve të publikuara nga Sberbank e kontrolluar nga shteti, pagat e klasës së mesme u rritën vetëm me 2 për qind vitin e kaluar, me inflacionin në mbi 3 për qind. Pikëpamja e klasës së mesme mbi ekonominë dhe pronën e saj ranë me 10 pikë edhe pse ekonomia e Rusisë u kthye në rritje.

Kjo pikëpamje e zymtë ekonomike kombinohet me apatinë politike në rritje. Sondazhi i fundit nga grupi i pavarur rus “Levada” tregon se 89 për qind e rusëve ndjehen të pafuqishëm për të ndikuar ose për të ndryshuar gjendjen e vendit. Një shumicë e madhe njerëzish – 60 për qind – nuk ndjejnë asnjë ndjenjë përgjegjësie për atë që po ndodh në Rusi dhe një tjetër 24 për qind e tyre ndjejnë shqetësim shumë të vogël për atë që po ndodh.

Sipërmarrësit e sektorit privat nuk janë të lumtur gjithashtu: Ata kanë parë pasuritë e tyre të zhduken nga recesioni i fundit ekonomik dhe po vuajnë nën nivelet e larta të korrupsionit dhe respektimit të dobët të të drejtave pronësore. Edhe punonjësit e sektorit shtetëror të Rusisë vazhdojnë të përjetojnë një rënie në të ardhurat reale të disponueshme, pavarësisht faktit që PBB-ja e Rusisë u zgjerua me mbi 1.5 për qind në vitin 2017.

Pakënaqësia mes klasës së mesme të Rusisë dhe elitës së biznesit nuk është përkthyer në një shtytje të përbashkët për ndryshime politike. Por ajo ka arritur të detyrojë shtytjen e çështjeve të brendshme – përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe modernizimin e shërbimeve sociale si arsimi dhe kujdesi shëndetësor – në paravijën e axhendës politike. Të dyja këto çështje kanë qenë më të dukshme në fjalimet parazgjedhore të Putinit sesa në vitin 2012 ose në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Një transformim po ndodh gjithashtu në mesin e elitës politike të Rusisë. Epoka kur patriotizmi pas Krimes ishte i mjaftueshëm për të mbledhur elitën rreth Kremlinit, ka mbaruar. Gjithnjë e më shumë, rivalitetet e brendshme brenda klasës politike të Rusisë kërcënojnë ta shkatërruar atë. Degë të ndryshme të Siloviki-t të Rusisë (komuniteti i sigurisë) ishin në mosmarrëveshje të hapura vitin e kaluar, dhe ka një mosbesim të thellë midis krerëve të korporatave të fuqishme shtetërore të Rusisë dhe teknokratëve të qeverisë së Putinit, të cilët ishin të ngarkuar me drejtimin e ekonomisë nga recesioni.

Këto realitete, natyrisht, janë në kundërshtim me imazhin e Putinit rreth stabilitetit, vazhdimësisë dhe rendit. Përpjekjet e Kremlinit për të fituar mbështetjen e të rinjve dhe të klasës së mesme sipërmarrëse me premtimin e reformave deri më tani kanë dëshmuar të jenë asgjë më shumë sesa tym i kuq.

Nuk duhet të vijë si surprizë atëherë se Kremlini ka luftuar për të rregulluar mirë mesazhin e fushatës zgjedhore. Adresimi i Putinit në parlament – në të cilën pritet të përshkruajë programin e tij – u shty dy herë.

Këto tensione kanë gjasa të rriten gjatë rrjedhës së mandatit të ardhshëm presidencial të Putinit, të cilin kushtetuta e Rusisë dikton se, gjithashtu duhet të jetë i fundit. Shumë pak ekspertë politikë rusë parashikojnë se Putini do të jetë gati të heqë dorë nga presidenca në vitin 2024, por perspektiva e një tranzicioni të pushtetit ose një reforme kushtetuese do të vazhdojë të nxisë mosbesimin brenda elitës sunduese, veçanërisht pasi çmimet e naftës vazhdojnë të ngecin në nivele të ulëta dhe elita ekonomike zvogëlohet edhe më tej.

Përpara zgjedhjeve të 2012 dhe pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, retorika e Putinit u përqendrua në statusin e Rusisë si një fuqi e madhe dhe mesazhe antiamerikane. Por fitimet e politikës së jashtme nuk janë më të mjaftueshme për të mobilizuar votuesit, të cilët janë më të shqetësuar me cilësinë e tyre të zvogëluar të jetës.

Zhvendosja e Putinit për t’u përqendruar pothuajse tërësisht në çështjet e brendshme – në veçanti premtimin për përmirësimin e shërbimeve sociale – nuk është një shenjë që ai është i përgatitur të heqë dorë nga ambiciet e tij më të mëdha të politikës së jashtme. Është një shenjë se ai e ka kuptuar se publiku është lodhur nga fushatat e tij të huaja dhe dëshiron që Rusia të respektohet dhe jo vetëm të shihet me frikë nga Perëndimi.

Sondazhet e fundit nga Levada tregojnë se numri i rusëve që duan të normalizojnë marrëdhëniet me Perëndimin u rritën në 24 për qind nga 15 për qind në vetëm një vit. 49 për qind e rusëve kërkojnë që vendi të tërhiqet nga Siria.

Pa një fatkeqësi të madhe ndërkombëtare që mund të mbledhë votuesit rreth një kauze patriotike, popullariteti i Putinit do të jetë gjithnjë e më i influencuar ndaj arritjeve të tij në frontin e brendshëm. Ai do të duhet të shënoj përmirësime të prekshme në jetën e përditshme të rusëve të zakonshëm për të mbajtur mbështetjen e votuesve.

Në fillim të viteve 2000, Putini ishte në gjendje të kapte liritë politike dhe ekonomike sepse kufizimet u kompensuan nga të ardhurat me rritje të shpejtë dhe një përmirësim në standardet e jetesës. Por nuk ka gjasa që diçka e ngjashme – e cila kërkon të paktën 4-5 për qind rritje vjetore të PBB-së – mund të përsëritet në Rusinë e sotme, e cila influencohet nga çmimet e ulëta të naftës, investimet e ulëta, zgjerimi i konsiderueshëm i sektorit shtetëror dhe rënia e iniciativave të sipërmarrësve privat.

Lloji i reformave ekonomike që Putini duhet të zbatojë për të prodhuar nivele të krahasueshme të rritjes nuk mund të ndodhë pa ndryshime në shpërndarjen nga lart poshtë të fuqisë politike dhe ekonomike në Rusi. Popullariteti i tij në mesin e bazës së tij të votuesve është në rrezik si rezultat i kësaj.

Putin do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Por pikërisht atëherë fillon beteja e tij e vërtetë politike. Dhe rezultati i saj është shumë i pasigurt./POLITICO – Lexo.al/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *