• |
ide | kryesore

Pse nuk qau dot ministrja e Edi Ramës për 7 Mars (VIDEO)

Lajme



Mësueseve që kishte ftuar në Sallën e Hartave këtë 7 Mars, Edi Rama ia përkëdheli sedrën me vargjet e famshme të Kadaresë, që i quan “të urtat gjer në dhembje, të thjeshtat gjer në madhështi”.

Ndryshe nga kryeministri, Lindita Nikolla zgjodhi t’i bëjë për vete duke i shfaqur admirimin dhe nostalgjinë, për vitet e shkuara të mësuesisë. Nostalgjia i doli si një ngashërimë kaps, që nuk arriti dot deri tek lotët.

Pavarësisht kësaj, me zërin që i dridhej, Lindita Nikolla ishte në lartësinë që kërkon propaganda e qeverisë për 7 Marsin.

“Sa të jem në detyrë nuk do të rresht për t’iu takuar ju në çdo shkollë të Shqipërisë duke iu pyetur ku po gaboj. Ju do më ndihmoni duke më thënë të vërtetën. Sepse ju jeni siguria, ju jeni suksesi”

Tha këto fjalë dhe zëri i shkoi një oktavë më lart. Fjalët linin të kuptohej se thellë brenda Linditës, kishte mbetur ende e gjallë mësuesja e matematikës e gjimnazit “Arben Broci”. U duk se ishte thirrja nga e kaluara që ngriti krye dhe shkaktoi emocionet e forta tek Ministrja e Arsimit, që gati, gati… sa nuk u përlot. (VIDEO ME POSHTE)

Që kur Lindita Nikolla ka dhënë mësim herën e fundit, ka kaluar shumë kohë. Sepse prej 5 vitesh Rama e ka emëruar ministre të dy qeverive të tij, ndërkohë që para këtij posti, i kishte dhënë mundësinë të zgjidhej kryetare e njësisë bashkiake nr.3 në Tiranë.

Mjaftojnë këto vite eksperiencë si pjesë e Rilindjes për të kuptuar se Lindita Nikolla e ka fituar tashmë aftësinë për të bërë show para kamerave, si një politikane profesioniste.

Dhe nëse ndjek aktivitetet që kishte ministrja paradite, kupton se ngashërimat e 7 Marsit para kamerave, ishin pjesë e show-t politik.

Ministrja e nisi ditën me një shfaqje para kamerave bashkë me Erion Veliajn. Mësuesit dhe nxënësit i përdori si figurantë që në mëngjes. Ishte inskenimi i zakonshëm që bën kryebashkiaku, duke mbjellë pemë.

E veshur “casual”, me një xhup rozë dhe me lopatë në dorë, Nikolla pozoi pranë Veliajt, të cilit i kishte sjellë edhe ca nxënës për sfond.

Sapo Veliaj mbaroi me filmimet, ministres i është dashur të nxitojë për në aktivitetin tjetër. Edi Rama e priste në kryeministri, bashkë me një grup mësuesesh, që kishin udhëtuar nga të gjitha qytetet për në Tiranë, në Sallën e Hartave.

Para se të hynte në sallën ku e priste Rama, Lindita Nikollës i duhej të zhvishej. Nuk dihet se ku, por ministrja ka hequr bluzën e zezë dhe xhupin rozë që kishte tek shfaqja e Veliajt, për t’u veshur me xhaketën e zezë dhe bluzën e bardhë, të përshtatshme për shfaqjen me Ramën.

Emocionet që u duk se shfaqi Ministrja e Arsimit tentojnë të bindin se kabineti qeveritar nuk është një sekt politikanësh të zhytur në luks dhe të pandjeshëm. Përkundrazi (pretendojnë ata) në qeveri ngashërehen nga nostalgjia për jetën e thjeshtë të profesionit të parë.

Çështja është se deri te ngashërimat e 7 Marsit, Lindita Nikolla ka bërë një rrugë të gjatë. Në politikë ajo është gjendur mes shumë skandalesh të cilat i ka gëlltitur bashkë me turpin; që nga arrestimi i shoferit personal që i kërkonte mësuesve 3 mijë euro për një vend pune, tek salca që i derdhën mbi kokë studentët që protestonin kundër ligjit për Arsimin e Lartë, pastaj te skandalet e korrupsionit në emërimin e mësuesve në Zyrat Arsimore në rrethe, apo së fundmi tek lënia pa rroga e pedagogëve.

Të gjitha këto peripeci tregojnë një bindje të fortë se i duhet ikur sa më larg jetës si mësuese gjimnazi, jetës që Rama i këndon vargjet e Kadaresë për mësueset “të urtat gjer në dhembje, të thjeshtat gjer në madhështi”.© Lapsi.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *